Kukës: Kronika- Shkurt, 2 Qershor, Atsh
* Plagoset rëndë një punëtor
KUKËS - Një punëtor nga Kalimashi që punon në një firmë private kromi, është plagosur rëndë të mërkurën gjatë punës. Sipas Policisë, "është plagosur rëndë 50 vjeçari R. Lugja nga Kalimashi. Rreth orës 06 të ditës së sotme, Lugja kishte nisur punën, kur një masiv dheu e gurësh u shemb duke e zënë poshtë". Pas ndihmës së parë mjekësore në Kukës, punëtori i dëmtuar është dërguar për kurim më të specializuar në spitalin ushtarak të Tiranës. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit.
* Mbytet në rezervuar 12 vjeçari
TROPOJË - Një fëmijë nga fshati Viliç i Tropojës pasi hyri për t'u larë në një rezervuar të vogël ditën e djeshme, nuk mundi të dalë më në sipërfaqe.
Burime zyrtare të policisë lokale të rrethit të Tropojës pohojnë se, "12 vjeçari me inicialet SH.G ka hyrë për t'u larë në një rezervuar të vogël që ndodhet pranë fshatit të tij, por nuk mund të dalë më". Fëmijët e tjerë kanë lajmëruar banorët e fshatit që pas një orë kanë mundur të nxjerrin nga uji trupin e pajetë të 12 vjeçarit, nxënës i klasës së pestë./ch/