English

Kukës: Liqeni I Fierzës "Pushtohet" Nga Të Pasionuarit E Notit

KUKËS, 2 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Brigjet e liqenit të Fierzës kanë nisur të frekuentohen nga të rinjtë të pasionuar pas notit, ose gjuetisë së peshkut, pasi ai, si rrallë ndonjëherë është thuajse në kuotën maksimale të tij, duke rritur interesin e të rinjve. "Ushtrimi i notit ka një kënaqësi të veçantë në këtë peiudhë, kur ende ujrat e liqenit janë të ftohta," thotë njëri prej të rinjve, Artur Lleshi. Ai thotë se bashkë me shokët mblidhen çdo mëngjes dhe kalojnë orë të tëra në brigjet e liqenit duke iu larguar zhurmës e pluhurit të rrugëve të qytetit. Por brigjet e liqenit, edhe pse frekuentohen gjatë verës nga shumica e banorëve të Kukësit, nuk ofrojnë ndonjë komoditet për pushuesit. "Nuk ka të paktën një rrugë për të zbritur nga qyteti në liqen", thotë Lleshi. Këtë verë është shtuar edhe një rrezik tjetër, mungesa e mbikalimeve në autostradë, e cila ndan qytetin nga liqeni. "Kemi bërë përpjekje për të përmirësuar sado pak gjendjen. Kështu verën e kaluar kemi hedhur mbi 20 kamionë me rërë, por puna ka shkuar dëm këtë vit, ndërsa rëra ndodhet nën ujrat e liqenit", thotë kryetari i Bashkisë, Hasan Halilaj. Sipas tij, gjithsesi duhet bërë më shumë, vecanërisht për ndërtimin e rrugëve që të çojnë drejt liqenit. Por pavarësisht nga këto mangësi, brigjet e liqenit të Fierzës shfrytëzohen masivisht në periudhën e verës për plazh e gjueti nga banorët./ch/
KOMENTE