Tiranë 2 Qershor 2010 – Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku plagos një tranvestit në qendër të Tiranës ka sjellë dhe reagimin e shoqatës që mbron këtë kategori shoqërore, “LGBT PRO Shqipëri”.
Shoqata shpreh shqetësimin për mos marrjen e masave nga ana e policisë dhe kërkon respektimin e ligjit.
“Tranvestiti, që ka zgjedhur të thirret me emrin Anxhela, ka marrë një serë plagësh në trup dhe sipas raporteve të medias ndodhet në spital në gjëndje të rëndë shëndetësore. Kujtojmë se disa muaj më parë në po të njëjtin vend, një tjetër tranvestit me emrin, Petrit Muça, u vra në mënyrë makabre për shkak të orientimit të tij seksual”, thuhet në njoftimin e LGBT PRO.
Shoqata denoncon, pranë të gjitha institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, rritjen shqetësuese të frymës së urrejtjes ndaj minoriteteve seksuale në Shqipëri.
Nga an tjetarë shoqata i kërkon Policisë së Shtetit të zbardhë sa më parë rrethanat e kësaj ngjarje “dhe ta trajtojë këtë rast me prioritetin maksimal pasi në rast të kundërt ajo mund të shërbejë për të rritur frymën e urrejtjes ndaj personave me orientim seksual dhe identitet gjinor të ndryshëm”.
Shoqata kërkon përgjigje publike nga ana e policisë dhe për rrethanat e ngjarjes që sipas saj është e përsëritur. “Si ka mundësi që puna e saj parandaluese ndaj krimit dështon gjithmonë në qendër të Tiranës? Si ka mundësi që patrullat e policisë janë 24 orë të pranishme në zonën rreth Pallatit të Kulturës e megjithatë janë të verbëra për të parandaluar krime të tilla makabre ndaj transevestiteve në Shqipëri?”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu shoqata thekson se është i pajustifikueshëm fakti që nuk ka asnjë reagim. Pas miratimit të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, shoqata kërkon nga policia që të bëjnë publike masat e marra në mbrojtje të tyre, si dhe nga media trajtim më me etik të këtyre ngjarjeve.
“Ne do të kërkonim që Policia e Shtetit të bëjë publike të gjitha masat dhe veprimet që ka ndërmarrë deri më sot në mbrojtje të personave me orientim seksual të ndryshëm, sidomos në mbrojtje të transvestitëve, pas miratimit te ligjit kundër diskriminimit”, thuhet në deklaratë.
m.xh/NOA