English

Lindje E Mesme - Flotilje - Këshilli I Okb-Së Për Të Drejtat E Njeriut Përgatit Një Rezolutë

GJENEVË, 2 qershor /ATSH-AFP/ - Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut rinisi sot punimet e një takimi, që ka si qëllim përgatitjen e një rezolute ku kërkohet një hetim mbi sulmin e ushtrisë izraelite të së hënës kundër një flotiljeje pro-palestineze, që ishte nisur me ndihma humanitare drejt Rripit të Gazës. Të 47 vendet anëtare të Këshillit, selia e të cilit ndodhet në Gjenevë, nisën dje diskutimet lidhur me një projektrezolutë, gjatë një sesioni të jashtëzakonshëm të organizuar me apel të Lidhjes Arabe dhe Organizatës së Konferencës Islamike, (OCI). ''Votimi mbi rezolutën e përgatitur nga Pakistani, Sudani dhe përfaqësuesit palestinezë ishte fillimisht i parashikuar për dje, por u shty për sot në mesditë 'me qëllim që të mundësohet pak kohë për ekzaminim të kërkesave për amendime, në kuadër të konsultimeve jozyrtare' të bëra më pas'', u shpreh për AFP një diplomat perëndimor. Shumica e vendeve janë dakord me linjat kryesore të projektrezolutës ku paraqitet kërkesa për një hetim të Këshillit të Sigurimin në OKB, selia e të cilit ndodhet në Nju Jork. Vendet perëndimore kërkojnë gjithashtu garantimin e modaliteteve të këtij hetimi, në mënyrë që të jetë ''konformë kritereve ndërkombëtare". "E kemi të qartë që bëhet fjalë për 'linjë të kuqe''(rrjedhimisht e papranueshme) për Izraelin i cili nuk do të pranojë një hetim ndërkombëtar", vërejti diplomate./ /i.p/
KOMENTE