Tiranë, 2 Qershor, NOA – Ndërsa vetëm pak muaj më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim do të guxonte të dilte kundër qeverisë lidhur me ditën e 29 Nëntorit, duke e njohur atë si ditë e Çlirimit të vendit, sot është shënuar një rast i ri që kjo forcë politike aleate e qeverisjes, del kundër mazhorancës.
Bëhet fjalë për konfliktin e sotëm të bërë publik në media lidhur me sekuestrimin e shtëpisë së deputetit socialist Dashamir Peza, për të cilin në fakt, ekziston një vendim i fundit qeverie, për të kaluar në varësi të Institutit të Monumenteve.
Ka qenë vetë sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i cili në një deklaratë për mediat ka pohuar se “veprimi i sotëm i policisë, për të sekuestruar shtëpinë e deputetit të Partisë Socialiste Dashamir Peza, është një akt abuziv, një butafori e panevojshme”.
Sipas tij, ky akt “stonon në tërë atë mori detyrash të rëndësishme që duhet të kryejë Policia e Shtetit nga njëra anë”.
Duke shtuar se nga ana tjetër, ky veprim “stonon edhe me gjithë trendin e prioriteteve me të cilat duhet të merret drejtpërdrejt qeveria shqiptare”.
Në këtë mënyrë, ai ka dalë hapur kundër qeverisë, pasi e ka kritikuar me një masë të ndërmarrë që policia e Shtetit ka ndërmarrë duke u nisur nga një vendim i saj.
“Nga kjo pikëpamje mendoj se, vendi dhe realiteti politik nuk ka nevojë për të tilla butafori, të cilat nuk sjellin asnjë kontribut dhe asnjë dobi në ndihmë të klimës politike në vend”, tha me nota të qarta përfaqësuesi i LSI-së, e cila prej gati një viti po bashkëqeveris me të djathtët në qeverinë e dalë prej zgjedhjeve të 29 qershorit 2009.
n.e/NOA