English

Meta-Hague: Qeveria, reforma pozitive kundër krimit dhe trafiqeve

Sarajevë, 2 qershor, NOA – Britania e Madhe u jep një mbështetje të madhe reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht ato në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Një fakt të tillë, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Uilliam Hague, ia ka komunikuar ministrit të Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një takimi në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të Sarajevës.

Më tej, Meta dhe Hague diskutuan mbi intensifikimin e bashkëpunimit bilateral, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si dhe mbi situatën politike në vend.

Sekretari i Jashtëm britanik nga ana e tij shprehu kënaqësinë për të bashkëpunuar me Metën, ndërsa ky i fundit e siguroi sekretarin Hague për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ecur përpara në zbatimin e reformave të ndërmarra.

Nga ana tjetër, Meta i theksoi atij edhe gatishmërinë e Shqipërisë për të forcuar më tej bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në këto fusha.

Gjithashtu, Meta e informoi Hague mbi përmbushjen e kritereve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave dhe e siguroi atë se tre nën-çështjet e mbetura do të plotësohen shumë shpejt.

Në fund, të dy homologët shprehën vullnetin e veçantë për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh, me një fokus të veçantë në rritjen e investimeve britanike në fusha prioritare të ekonomisë shqiptare.

Hague theksoi këtu se Ballkani Perëndimor do të jetë një prioritet shumë i rëndësishëm i Britanisë së Madhe duke nënvizuar se kjo është arsyeja që ai ndodhet në Sarajevë, për të konfirmuar pikërisht këtë vullnet të fortë të qeverisë së re britanike për Ballkanin.

n.e/NOA

KOMENTE