English

Meta: Samiti I Sarajevës Inkurajoi Heqjen E Vizave Për Shqipërinë Dhe Bosnje Hercegovinën

TIRANË, 2 Qershor/ATSH-Almarina Gegvataj/.- Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi sot se "Samiti i Sarajevës inkurajoi heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës", si dhe konfirmoi se "anëtarësimi i këtyre vendeve në BE mbetet një projekt strategjik që ka mbështetjen e BE-së". Z. Meta mori pjesë sot në punimet e Samitit të Sarajevës, mbajtja e të cilit përkon me 10 vjetorin e Samitit të Zagrebit. Sipas tij, "ky Samit përforcoi edhe një herë tjetër vendosmërinë e BE-së për t'u zgjeruar drejt Ballkanit Perëndimor, por edhe vullnetin e Ballkanit Perëndimor për të plotësuar të gjitha standarDet të cilat e lehtësojnë anëtarësimin në BE". "Nesër bëhen dy vjet kur Franko Frattini bëri publik udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave. Të gjithë përfaqësuesit në këtë eveniment shumë të rëndësishëm japin mbështetjen e tyre për rekomandimin e bërë nga Komisioni Europian për të filluar procedurat për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën", tha Meta. "Samiti theksoi nevojën e një bashkëpunimi edhe më të mirë dhe efikas mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian, në luftën kundër krimit të organizuar, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit. Këto mbeten elementë të rëndësishëm për performancën e vendeve, të cilat kanë aplikuar apo aspirojnë për anëtarësim", tha z. Meta. Kryediplomati shqiptar vuri në dukje se "Samiti i Sarajevës, pavarësisht se zhvillohet në një sfond të vështirë për Europën, duke patur në konsideratë krizën ekonomike dhe financiare, arriti të sillte në vëmendje të BE-së Ballkanin Perëndimor". I pyetur mbi zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri, Meta u shpreh se "situata duhet të ishte zgjidhur me kohë, pasi të gjitha instrumentat kanë qenë dhe janë në sistemin kushtetues". "Duhet të mendojmë më shumë për vullnet pozitiv nga të gjithë aktorët politikë. Duhet më shumë respekt për institucionet kushtetuese që ne i kemi krijuar të gjithë së bashku me asistencën dhe mbështetjen e BE-së dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë", tha Meta. Gjithashtu, sipas tij, "duhet treguar më shumë respekt edhe për gjithë ata aktorë ndërkombëtarë, që kanë qenë të angazhuar për të konsoliduar dialogun dhe një zgjidhje konstruktive dhe demokratike të kësaj situate, e cila është vërtet absurde". "Shpresoj se do të ketë përpjekje të palodhura dhe pozitive. Duhet t'i largohemi retorikës që nuk afron drejt zgjidhjeve, të cilat nuk mungojnë dhe janë të afërta mes transparencës dhe kushtetutës. Nëse do të vazhdonte, kjo situatë do të kishte ndikime aspak të këndshme për sa i takon statusit të vendit kandidat. Ky do të ishte një ndëshkim i pamerituar për të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe një zhgënjim i pamerituar për BE-në dhe PE-në që kanë qenë dhe janë të angazhuara për ta mbështetur Shqipërinë", tha z. Meta. Duke informuar mbi Samitin, Meta tha se "pothuajse nga të gjithë pjesëmarrësit u kërkua që edhe Kosovës t'i ofrohet së shpejti udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të prekin hapësirën Shengen pa barriera". "Pjesëmarrja e Kosovës është një sukses për vetë Kosovën, por edhe për përpjekjet e rajonit dhe BE-së për të lehtësuar raportet dhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Prania e Jeremiç dhe Hysenit në këtë konferencë është një tregues i vullnetit pozitiv", tha z. Meta. Sipas tij, "vlerësimi që ministri Jeremic i bëri marrëdhënieve me Shqipërinë tregon një vullnet konstruktiv". /m.m/s.s./
KOMENTE