English

Msh: 12 Shërbime Shëndetësore Për Nxënësit Në Një Paketë Promovuese Të Unifikuar Në Shkolla

TIRANË, 2 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Miratimi i Paketës Promovuese të Shërbimit Shëndetësor në Shkolla, e para e këtij lloji pas vitit 1998, shënon një riorganizim thelbësor të rolit të mjekëve dhe punonjësve të tjerë te shëndetësisë që kujdesen për shendetin e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme në të gjithë vendin. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka miratuar tashmë këtë Paketë Promocionale, e ndërmarrë në kuadër të Riorganizimit të këtij shërbimi shëndetësor. Paketa eleminon problemin e fragmentarizmit dhe heterogjenitetit në shërbimin shëndetësor që ofrohet në shkolla, duke e bërë atë uniform në të gjithë vendin, veçanërisht duke bërë të mundur orientim të drejtë lidhur me problemet që ka kjo moshë dhe shoqëria në tërësi. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Shëndetësisë, Alisa Demollari, kjo paketë mundëson riorganizimin e shërbimit ndaj nxënësve, duke i hapur rrugën e duke i dhënë ritmin e sensin e qartë një shoqërie europiane, e cila ka parandalimin në themelin e saj. Paketa promovuese përmban 12 çështje të punuara, sipas një modeli me mbështetje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ku cilësohen qartë për çdo çështje aktivitetet edukuese dhe mjekësore, si të mjekut, ashtu edhe të infermierit, stomatologut dhe psikologut. Paketat promovuese janë dhuna, e cila lidhet ngushtë me dhunën në familje dhe shoqëri, aksidentet dhe traumat, ku përparësi merr veçanërisht informimi dhe edukimi mbi kodin rrugor, shëndeti mendor dhe mireqënia psikologjike, zhvillimi dhe rritja e shëndetshme, ushqyerja e shëndetshme, fëmijët me nevoja te veçanta, sëmundjet kronike, parandalimi i sëmundjeve ngjitëse, shëndeti oral, shëndeti seksual dhe ai riprodhues, HIV, aktiviteti fizik, si dhe duhani, alkooli dhe abuzimi me drogat. Ndërkohë, MSH vlerëson se promocioni mbetet prioritet absolut i programit të Qeverisë dhe tashmë komuniteti shëndetësor dhe ai i mësuesve në shkolla unifikohet në një të vetëm, ndërsa raporti midis drejtuesve në shkolla dhe mjekëve kthehet në një binom të pazëvendësueshëm. Tashmë mjekët në shërbimin shëndetësor në shkolla kanë të qartë detyrat e tyre dhe edukimin për mospërdorimin e duhanit, alkoolit dhe drogave, por vëmendje madhore do të ketë edhe kujdesi ndaj HIV/AIDS dhe sëmundjeve seksualisht të trasmetueshme. Materialet e paketës promovuese të shërbimit shëndetësor në shkolla, sipas MSH, do të zhvillohen jo vetëm në orët e lira, por shumë çështje të rëndësishme do të zhvillohen bashkarisht dhe në bashkëpunim të ngushtë mes mjekëve dhe drejtuesve e mësuesve në shkolla. /a.ke/
KOMENTE