English

Nato Mbyll Selinë E Saj Në Tiranë

TIRANË, 2 Qershor/ATSH-Anila Struga/.- NATO mbylli sot selinë në Tiranë, duke shënuar kështu përfundimin me sukses të misionit të saj tetëvjeçar në Shqipëri. Me këtë rast në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u organizua sot një ceremoni zyrtare me praninë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta, Admiralit Mark Fitzgerald, Komandantit të Komandës së NATO-s, Gjeneral Brigade Dincho Ivanov Karamunchev, ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, si dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Në hapje të kësaj ceremonie Admirali Mark Fitzgerald tha se "misioni u krye dhe tani burimet tona do të rishpërndahen. Tashmë që Shqipëria është anëtare e NATO-s ne do të fillojmë bashkëpunimin e mëtejshëm për të çertifikuar plotësisht Forcat e Armatosura Shqiptare, përmes programeve të NATO-s''. Në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, tha se institucionalizimi i marrëdhënieve me NATO-n, përmes antarësimit në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut në vitin 1992, përkon pikërisht me institucionalizimin e demokracisë në Shqipëri. "Vetëm dy vjet pas nënshkrimit të Dokumentit Kuadër të Partneritetit për Paqe me NATO-n më 1994, Qeveria shqiptare, ende në hapat e parë të konsolidimit demokratik të vendit, shfaqi vullnetin dhe dha kontributin e menjëhershëm, duke iu bashkuar koalicionit të gjerë të trupave të 22 vendeve të botës demokratike, anëtare e jo anëtare të NATO-s, në Operacionin Paqeruajtës në Bosnjë Hercegovinë", tha ministri Imami. Duke vlerësuar asistencën dhe ekspertizën e kualifikuar të ushtarakëve të Shtabit të NATO-s për më shumë se 10 vjet, ai vuri në dukje se "anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë është arritja më e madhe e vendit tonë në këto dy dekada zhvillimesh demokratike dhe një arritje historike e vendit tonë". Me këtë rast, ministri Imami shprehu mirënjohjen për qeveritë e vendeve anëtare të Aleancës për vlerësimin dhe besimin që patën në vlerat dhe standardet e Shqipërisë. "Ne sot simbolikisht mbyllim praninë e një Misioni të NATO-s në Shqipëri, por ndërkohë kemi hapur tashmë prej më shumë se një viti, një mision të ri: e gjithë NATO-ja është e pranishme dhe me mision në Shqipëri, ashtu sikurse Shqipëria është tërësisht e pranishme dhe e misionuar në NATO", nënvizoi në fjalën e tij ministri shqiptar i Mbrojtjes. Selia e NATO-s në Tiranë u krijua në vitin 2002 për të ndihmuar Shqipërinë në anëtarësimin e saj në Aleancë përmes reformave, si edhe për të siguruar komandën dhe kapacitetet e kontrollit për NATO-n në Kosovë. Në vitin 1992 Shqipëria filloi rrugën drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe ushtarake në botë, duke iu bashkuar Këshillit të Bashkëpunimit Atlantikoverior. Më pas, në vitin 1994 Shqipëria iu bashkua Programit të Partnershipit për Paqe. Pala shqiptare ka kontribuar me trupat e saj në Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Afganistan, si edhe ka mirëpritur manovra shumëplanëshe të NATO-s. Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e NATO-s në vitin 2009./s.s./
KOMENTE