Tiranë, 02 qershor, NOA – Policia e Tiranës ka qenë në shtëpinë e deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza për t'i ardhur në ndihmë punonjësve të Ministrisë së Kulturës për sekuestrimin e objektit që është cilësuar si vlerë historike.
Në një njoftim për mediat, Policia e Tiranës sqaron se kjo procedurë është normale në mbrojtje të punonjësve të Ministrisë dhe se policia nuk ka juridiksion të bëjë sekuestrime objektesh. Por, gjithashtu policia thekson se ndërhyja e tyre ka qenë e panevojshme duke qenë se nuk ka pasur asnjë rezistencë nga ana e pronarëve të shtëpisë.
“Gjatë veprimtarisë së tyre, përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk janë penguar në veprimtarinë e tyre, nga asnjë person i interesuar dhe për pasojë nuk ka qenë e nevojshme asnjë ndërhyrje policore. Gjatë gjithë kohës punonjësit e policisë vetëm kanë qenë prezent në afërsi të këtyre ambienteve”, thuhet në sqarimin e policisë.
Më tej, Policia e Tiranës sqaron se efektivat e saj nuk kanë bazë ligjore për të kryer sekuestrime ambientesh.
“Sqarojmë opinionin publik, si dhe mediat që i kanë atribuar forcave të policisë, kryerjen e procedurave për sekuestrim ambjentesh apo për veprime të tjera, se praktika të tilla, nuk janë në procedurat standarde të Policisë së Shtetit, në rastet e mbështetjes të institucioneve qëndrore të administratës publike apo të njësive të qeverisjes vendore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Policia shton se veprimet e sotme të strukturave të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, janë një praktikë normale pune në mbështetje të institucioneve qendrore dhe vendore të administratës publike dhe të pushtetit vendor.
Veprimi i policisë mbështetet në shkresën Nr.4470/1, të Ministrisë së Turizmit,
Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga neni 4 dhe 46 i Ligjit Nr.9749 “Për Policinë e Shtetit”.
m.xh/NOA