English

Profil/ Bardhyl Baltëza Dhe Fabrika E Tij E Riciklimit

DURRËS, 28 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Ndërmarrja e riciklimit të letrës dhe prodhimit të kartonit në Porto Romano është një realitet që ndryshon përditë. Shtatë vjet, pasi biznesmeni Bardhyl Baltëza investoi të gjitha kursimet e familjes së tij për realizimin e idesë që i kthen mbeturinat e letrës në karton të vlefshëm për ambalazhet. Hapësira e ndotur, që dikur ishte pjesë e ish-kombinatit kimik të Durrësit, është kthyer në një fabrikë të fuqishme që përgatitet për përurimin zyrtar të saj. Ortaku i Baltëzës është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila zotëron 30 përqind të aksioneve të ndërmarrjes me 75 punonjës dhe 380 klientë nga e gjithë Shqipëria. Gjithçka kishte nisur me bashkëshorten Elsa dhe fëmijët, me krijimin e firmën Beba Biochem, në fillim të viteve 1990, tashmë shumë profesionale. Në oborrin e ndërmarrjes që vazhdon ta ndryshojë përditë imazhin e saj, tashmë është ngritur edhe godina e re e administratës dhe laboratorëve, ndërsa në dy objektet e mëdha pranë saj zhurmojnë makineritë që prodhojnë kartonin duke e kthyer më pas në ambalazhe të vlefshme për prodhuesit ushqimorë dhe ata të industrisë së lehtë. Gjatë një interviste për ATSH-në, Bardhyl Baltëza flet me entusiazëm për rëndësinë që ka industria e riciklimit për zinxhirin e punësimit jashtë fabrikave si dhe për ndikimin pozitiv në mjedis dhe në imazhin turistik të vendit. "Ne kemi gjetur mbështetjen e legjislacionit dhe të qeverisë për të rritur sasinë e kësaj lënde, por bashkëpunimi me pushtetin vendor ende është në hapat e parë," thotë Baltëza, i cili është edhe president i Shoqatës kombëtare të ricikluesve. "Në fabrikën tonë përpunojmë çdo ditë rreth 70 ton letër mbeturinë, e cila mbërrin nga një grup i madh njerëzish të punësuar në distancë, të cilët grumbullojnë rregullisht mbeturinat prej letre dhe kartoni të riciklueshëm," vijon më tej Baltëza. "Më shumë se gjysma e mbeturinave të letrës dhe kartonit te ne riciklohet, pra kemi kuota më të mira se ato të mesatares evropiane ka ende tendenca për ta larguar letrën e riciklueshme nga vendi apo për të blerë mbeturina plastike nga jashtë vendit," thotë inxhinieri Baltëza. Në Shqipëri janë ngritur katër fabrika për riciklimin e materialeve plastike, dy për ato të letrës si dhe disa të tjera për metalet me ngjyra. "Një nga kushtet e Bshkimit Evropin për pranimin e Shqipërisë në BE janë edhe trajtimet e lëndëve të riciklueshme dhe interesin e të huajve për punën tonë ne e ndjejmë vazhdimisht," shprehet Bardhyl Baltëza. Ndërmarrja që ndodhet 6 km larg qendrës së Durrësit, vizitohet shpesh nga përfaqësues ndërkombëtarë. Tre vjet më parë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) u bë akionere, duke investuar 2 milionë euro. Kjo ndërmarrje është e para në zonën që pritet të kthehet në parkun e madh industrial të qytetit bregdetar. Kryeministri Berisha ka përshëndetur nismat e ricikluesve dhe dy javë më parë, gjatë përurimit të një fabrike të ngjashme në Kashar, Tiranë, ka deklaruar se do t'i mbështesë nismat e tyre, që përkojnë me politikat e qeverisë në fushat e punësimit dhe mjedisit./ch/
KOMENTE