English

Prokuroria: I Vendosin Gjobe 100 Mijë Euro Një Italiani, Tre Të Arrestuar, Dy Prej Tyre Policë

- Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda- TIRANË, 2 Qershor/ATSH/. -Tre persona, dy prej të cilëve punonjës të policisë në burgun e Fushë Krujës, u arrestuan sot si të dyshuar në vendosjen e një gjobe prej 100 mijë euro ndaj një biznesmeni italian në Shqipëri. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur sot se shtetasit Sefer Dervishi, lindur dhe banues në Mamurras, administrator në një firme private, Jetnor Dushaj, lindur në Tropojë dhe banues në Fushë Krujë si dhe shtetasi Ermal Malaj, lindur në Tropojë dhe banues në Kodër Kamëz, Tiranë, që të dy me detyrë punonjës të policisë në burgun e Fushë Krujës, u arrestuan me akuzat e "shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë", dhe "konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës". Këta persona, sipas prokurorisë, u arrestuan në kuadër të një procedimi penal të nisur prej dy ditësh nga Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale të "shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë", në dëm të shtetasit italian me inicialet E.P, i cili ushtronte një aktivitet privat të përpunimit të lëkurëve në Qarkun e Lezhës. Nga hetimet paraprake të kryera nga prokuroria dhe Policia e Kurbinit, rezulton se shtetasi italian me inicialet E.P, është bërë objekt i një kërcënimi për të dhënë shumën prej 100.000 eurosh, nga tre të arrestuarit, një nga të cilët administrator i firmës së tij. Ndërkohë që, sipas kallzuesit, shtetasit e mësiperm, në bashkëpunim me njëri tjetrin i kanë kërkuar atij shumën prej 100.000 eurosh, në shkëmbim të mbylljes së një problemi me policinë. /a.m/s.s./
KOMENTE