English

Rama:Berisha T'I Hapë Rrugë Transparencës

TIRANË, 2 Qershor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i kërkoi sot kryeministrit Sali Berisha që të hapë sa nuk është vonë rrugën e transparencës, pasi vendi po shkon në drejtim të kundërt me proceset integruese. "Do të vazhdoj t'i përsëris Sali Berishës për të hapur sa nuk është vonë rrugën e transparencës, liberalizimit të vizave dhe integrimit, duke harruar se mund t'a realizojë projektin e 'mbretërisë së pashpallur' me votime të hapura për gjykatësit në Kuvend e me kuti të mbyllura për popullin që kërkon transparencë", tha kryesocialisti Rama. Gjatë një deklarate për mediat në selinë e PS-së, Rama theksoi se kryeministri po vepron për interesat e tij personale duke thelluar krizën në ekonomi, politike dhe drejtësi. "Kryeministri nuk i ka fituar vota e popullit për të qënë kryeministër i Shqipërisë, por i ka grabitur ato për të ricikluar pushtetin e interesave që nuk kanë të bëjnë me prioritetet e vendit", tha Rama. "Berisha kujton se dështimet e tij në qeverisjen e vendit, zvarritjen e liberalizimit të vizave dhe rrënimin e ekonomik do t'ia faturojë opozitës", tha Rama. Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha përsëriti gadishmërinë e maxhorancës për dialog me opozitën. Gjithashtu, ai i bëri thirrje kryetarit të PS-së që t'i lexojë me realizëm deklaratat e ndërkombëtarëve për situatën politike në vend./a.s//n.m/
KOMENTE