English

Raporti i BB: Korrupsioni, Shqipëria më keq se vendet e rajonit

Tiranë, 02 qershor, NOA - Korrupsioni në Shqipëri mbetet në nivele shqetësuese. Pavarësisht, reformave të ndërmarra për reduktimin e tij, sërish Shqipëria mbetet vendi me nivelin më të lartë në rajon.

Por jo vetëm, edhe qeverisja nuk është në nivelin e duhur, për të realizuar objektivat e një vendi kandidat për në Bashkimin Europian.

Konstatimet janë bërë nga Banka Botërore, gjatë një konference dy ditore për zhvillimin ekonomik.

Në bazë të këtij raporti, i cili nuk është publikuar i plotë, është arritur në konkluzionin se niveli i ryshfetit që paguajnë bizneset në raport me xhiron është i lartë. Clelia Rontoyanni, specialiste e sektorit publik është shprehur se: “Shteti ligjor dhe mbajtja nën kontroll e korrupsionit mbeten aspektet më të dobëta të qeverisjes në Shqipëri dhe ato kufizojnë arritjen e objektivave për zhvillimin e vendit.

Afro 50 % e të anketuarve, që përfaqësojnë kompani biznesi në vend thonë se paguajnë ryshfet të lartë në administratë. E thënë në % të xhiros rezulton se 10.2% e saj paguhet nën dorë në formë takse.

Më tej në raport evidentohet se bizneset janë të qarta se në sektorët ku korrupsioni është i lartë ata parapërgatiten për të paguar në mënyre informale.

Sektorët problematik që prekin qytetarët nga korrupsioni janë shëndetësia apo drejtësia, ku besimi tek gjykatat mbetet vërtet i ulët.

Megjithatë, për sa u përket shqiptarëve ata janë shprehur optimist se integrimi në Bashkimin Europian do të përmirësojë qeverisjen në vend.

r.l/NOA.

KOMENTE