English

Samiti I Sarajevës, Shqipëria Dhe Bosnja Së Shpejti Do Të Udhëtojnë Pa Viza

TIRANË, 2 Qershor /ATSH/ - Në konferencën për shtyp pas takimit të nivelit të lartë që po zhvillohet sot në Sarajevë (Bosnje-Hercegovinë) për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos dhe Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, konfirmuan se, shumë shpejt Shqipëria e Bosnje Hercegovina do të udhëtojnë pa viza. Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Anhel Morantinos tha se duhet bashkëpunim rajonal për Ballkanin Perëndimor në BE. "Në Ballkanin Perëndimor ka pasur zhvillime pozitive, por ne duhet të ecim edhe më shumë përpara. Ne duhet të kemi angazhim për gjithë rajonin dhe përgjegjësi për të gjitha palët. BE do të punojë për të avancuar për procesin e negocimit. Duhet angazhim nga Ballkani Perëndimor për të zbatuar reformat që kushtëzojnë hyrjen në BE. Dhe angazhimi i tretë ka të bëjë me faktorin ndërkombëtar që duhet të na mbështesë për rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor", tha ai. Ndërsa Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule deklaroi se, nuk ka vend për frikë të zgjerimit të BE. Sipas Fules, BE ka treguar kushtet nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ka krijuar mbështetje për të ecur para drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor. Fule deklaroi se shpresonte që politika shqiptare të gjejë një zgjidhje para se vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët të merret në konsideratë nga PE. "Shpresoj që liderët politikë në Shqipëri të gjejnë një zgjidhje për krizën politike dhe kjo shpesojmë të arrihet para se të merret në konsideratë vendimi nga PE dhe Këshilli", tha ai. Lidhur me ndikimin që do të kishte moszgjidhja e krizës për vizat, Fule tha se, "Nuk do përgjigjem në emër të organizmave të tjerë. Unë konfirmoj se Komisoni Europian dha një rekomandim pozitiv", tha ai /gj.m//n.m/
KOMENTE