Sarajeve: Be Riafirmon Angazhimin E Tij Për Ballkanin Perëndimor
SARAJEVË, 2 qershor/ATSH-A. Gegvataj/.- Përfaqësuesja e Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zv/Presidente e Komisionit Evropian, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule riafirmuan gadishmërinë e Bashkimit Europian për të mbështetur proceset integruese në Ballkanin Perëndimor në takimin e Sarajevës që nisi punimet paraditen e sotme.
Para nisjes së takimit në Sarajevë, dy zyrtarët e lartë të KE-së përmes një deklarate për shtyp, riafirmuan angazhimin e BE-së ndaj vendeve të këtij rajoni dhe perspektivës së tyre evropiane.
"Integrimi i vendeve të Balkanit Perëndimor në familjen e kombeve Evropiane mbetet një nga sfidat e fundit të ndërtimit të një Evrope demokratike dhe të bashkuar. Në Sarajevë, BE do të riafirmojë përkatësinë e Ballkanit në Evropë dhe perspektivën e tij evropiane për rajonin", shprehet Ashton.
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule deklaroi për takimin e sotëm në Sarajevë se ai "krijon një konfirmim në kohën e duhur të perspektivës për anëtarësim në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimësinë e procesit të zgjerimit".
"Përshëndes angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të intensifikuar ritmin e reformave në fushat kryesore dhe për të forcuar më tej në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe efikase bashkëpunimin rajonal. Komisioni Evropian do t'i mbështesë këto përpjekje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Procesi i Zgjerimit është bazuar në kushte të forta, por mbi të gjitha është një projekt politik", tha Fule.
Takimi i Sarajevës, i organizuar nga Presidenca Spanjolle me mbështetjen e BE-së, synon të riafirmojë angazhimin e Bashkimi Europian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tyre evropiane.
Në përfundim të tij pritet të ketë një deklaratë zyrtare që do të publikohet nga Presidenca spanjolle e radhës e BE-së./a.s//n.m/