Sarajevë, Nis Samiti I Be-Së Për Ballkanin Perëndimor
SARAJEVË, 2 Qershor/ATSH-Almarina Gegvataj/.- Ka nisur takimi i Nivelit të Lartë që po zhvillohet në Sarajevë (Bosnje-Hercegovinë).
Ky takim që po mbahet në kuadër të 10-vjetorit të Samitit të Zagrebit, pritet të bëjë një vlerësim të progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit Evropian si dhe të rikonfirmojë perspektivën e qartë evropiane të këtyre vendeve.
Samitin pritet ta përshëndesin përfaqësues të lartë nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Turqia, Këshilli i Europës, OSBE dhe NATO.
Gjithashtu pjesmarrës në këtë samit të rëndësishëm janë edhe përfaqësuesja e lartë për Çështjet e Jashtme në
KE, Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, që pritet të konfirmojnë edhe një herë angazhimin e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim të rëndësishëm është i pranishëm edhe Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni.
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, që ka mbërritur një ditë më parë në Sarajevë pritet të takohet me homologun e tij britanik, William Hague, komisioneren Ashton dhe komisionerin Fyle menjëherë pas përfundimit të samitit.
Takimi i Sarajevës, që organizohet nga Presidenca Spanjolle me mbështetjen e Bashkimit Evropian, shënon 10-vjetorin e Samitit të Zagrebit të 25 nëntorit 2000, ku u prezantua procesi i Stabilizim-Asociimit dhe perspektiva evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor./n.m/