Shkoder: Arrestohet Nje 50-Vjecar Per Vepren Penale Te Vrasjes
SHKODËR, 2 Qershor/ATSH-G. Marku/. - Forcat e policisë së Shkodrës kanë arrestuar 50-vjeçarin Selim Çelaj, si person i akuzuar për vrasjen e shtetasit Isa Çelaj.
Zëdhënësja e Drejtorisë Policisë se Qarkut Shkodër, Fatbardha Çelepia, tha për ATSH-në se "arrestimi i tij ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Domen të komunës Postribë, rrethi Shkodër, ku si pasojë e një konflikti pronësie mes shtetasit Isa Çelaj dhe vëllait të tij, Hysen Çelaj, të dy pas plagëve të marra ndërruan jetë në Spitalin Rajonal Shkodër".
Sipas zëdhënëses, nga veprimet hetimore të kryera nga ana e policisë, rezulton se ky shtetas ka qenë i përfshirë në ngjarjen e mësipërme, në vendin e quajtur "Bjeshkët e Domenit", ku pas një konklikti me armë zjarri mes xhaxhit dhe babit të tij, ka goditur me mjete të forta shtetasin Isa Çelaj (xhaxhain e tij), vjeç 76, lindur dhe banues në Fshatin Domen, duke i shkaktuar plagë të rënda, si pasojë e të cilave ky shtetas ka ndërruar jetë.
Bëhet e ditur se shtetasi i arrestuar Selim Çelaj do të përballet me drejtësinë për vepren penale të "Vrasjes me dashje". /a.ke/