English

Skënder Hyseni: Bisedime me Beogradin si dy shtete

Sarajevë, 2 qershor, NOA – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, thotë në Sarajevë se Prishtina është e gatshme të ulet në bisedime me Beogradin, por si shtete të pavarura.

Duke folur për BBC-në, ministri kosovar kundërshtoi idetë e ndarjes së Kosovës, duke thënë se një alternativë e tillë mund të sjellë dhunë dhe një efekt negativ domino në Ballkan. Hyseni u ul në takimin BE-Ballkan Perëndimor në Sarajevë si i barabartë me homologët e tjerë nga vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë.

Ishte hera e parë që Kosova u ul rreth një tryeze si e barabartë me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë përfaqësuesin e Serbisë. Si do ta vlerësoni ju këtë rast?

E vlerësoj vërtet si një lëvizje të rëndësishme pozitive në drejtimin e duhur, një drejtim i pashmangshëm të cilin duhet ta marrë i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor nëse do të dëshmojë se është i pjekur për integrime të mëtejme evropiane dhe euro-atlantike.

Është i pazëvendësueshëm bashkëpunimi në shkallë të rajonit nëse duan që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të gjitha shtatë sa janë, të ndjekin me sukses procesin e integrimeve evropiane. Prandaj në këtë rrafsh takimi shënon një kthesë, është ndoshta hera e parë që të gjithë gati kanë kontribuar me fjalimet e tyre në një atmosferë më parë do të thosha mirëkuptimi, se sa përçarje, siç ka ndodhur fatkeqësisht në të shumtën e rasteve deri më tani.

Zoti ministër, si mund të ndikojë takimi i Sarajevës në ato që mund të jenë bisedime të ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për çfarë mund të diskutohet tani?

Unë shpresoj që do të ketë ndikim pozitiv. Ajo që mund të bisedohet midis Kosovës dhe Serbisë janë një varg çështjesh, ka një gamë jashtëzakonisht të madhe të çështjeve praktike me interes për të dyja vendet, të cilat duhet të shtrohen për diskutim dhe të zgjidhen dhe të arrihen marrëveshje, sepse midis vendeve në fqinjësi ka gjithmonë çështje të rëndësishme që kërkojnë zgjidhje.

Patjetër që Kosova dhe Serbia duke qenë pjesë të së njëjtës federatës jugosllave dikur, kanë aq shumë çështje të përbashkëta që duhet të zgjidhen dhe të vendosen në korniza të reja si midis dy shteteve. Natyrisht që unë e bëra të qartë në takim se Kosova është e gatshme të bisedojë me Serbinë, është e gatshme të ulet sot, nuk e ka asnjë problem mirëpo ato mund të zhvillohet vetëm si biseda midis dy shtetesh dhe asesi ndryshe.

Zyrtarët serbë megjithatë vazhdojnë të spekulojnë për një autonomi në veri të Kosovës. Mos është ky një fillim i një ndarje reale të asaj që quhet ndarje midis veriut dhe jugut?

Ndarja është opsion i rrezikshëm. Ndarja e Kosovës nuk mund të përfundojë vetëm në Kosovë. Nëse kufijtë e cilitdo shteti në Ballkanin Perëndimor ndryshojnë, kufijtë e cilësdo njësi federale, kjo do të ketë një efekt domino në gjithë rajonin. Mos të ketë askush iluzion se mund të ndryshojnë kufijtë e Kosovës dhe kjo do të përfundojë vetëm në Kosovë. Absolutisht jo. Kjo do të provokojë reaksion zingjiror në gjithë rajonin dhe unë jam i bindur se BE-ja dhe SHBA-të, bashkësia ndërkombëtare përgjithësisht, nuk është e gatshme të përballet me një valë të re dhune në Ballkanin Perëndimor, prandaj opsioni i ndarjes është opsion i rrezikshëm dhe thirrjet për ndarje, njësoj si edhe thirrjet për rinegociim të statusit të Kosovës, janë thirrje fondametalisht të rrezikshme.

Zoti ministër, para disa ditësh ishit në një samit në Afrikë. A do të ketë vende të tjera afrikane që do të njohin Kosovën?

Po, do të ketë. Kisha një varg takimesh me ministra të jashtëm nga vende të ndryshme të Afrikës që nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe do të ketë njohje patjetër, do të ketë madje edhe para vendimit të GJND-së.

Po përsa i takon Bosnjë-Hercegovinës, vendit ku organizohet takimi, si do të bëhet që Bosnja Hercegovina të njohë Kosovën, të njohë pasaportat e udhëtimit të qytetarëve të Kosovës.

Unë shpresoj shumë që Bosnja do të bëjë veprimet e duhura në kohën e duhur për të njohur Kosovën. Natyrisht në të njëjtën kohë ne nuk mund të kemi mirëkuptim për ndonjë shqetësim të brendshëm të Bosnjë-Hercegovinës. Sido që të jetë, unë nuk jam në dijeni për ndonjë arsye praktike që Bosnja të mos njohë Kosovën. Ndërsa sa i përket pasaportave, unë kam ardhur në Sarajevë me pasaportën time diplomatike dhe shpresoj të jetë ky një fillim i mbarë. Shpresoj të jetë kjo një shenjë premtuese, inkurajuese që do të shohim dhe do të marrim lajme të mira në këtë plan.

BBC

KOMENTE