Sport- Dossier/ Shqipëri - Andorra, Kombëtarja Kërkon Revansh Pas 8 Vjetësh
Ndeshja e sotme do të jetë ballafaqimi i tretë i Shqipërisë me Andorrën. Në dy përballjet me andorrianët, kemi fituar 3-0 në vitin 2000 dhe kemi humbur 2-0 në vitin 2002 -.
TIRANË, 2 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Tetë vjet pas ballafaqimit të dytë me Andorrën, kur Shqipëria nën drejtimin e Sulejman Demollarit humbi 2-0 në miqësoren e 17 prillit të vitit 2002 me vendin me vetëm 90 mijë banorë, e që shënoi edhe fundin e aventurës së trajnerëve shqiptarë në krye të Kombëtares shqiptare, kuqezinjtë, tashmë të drejtuar nga Josip Kuzhe, trajneri i pestë i huaj në harkun e tetë viteve, kanë shansit të regjistrojnë ndeshjen e tetë pa humbje në miqësoret ndërkombëtare, nga 25 maji i vitit 2008 (Poloni-Shqipëri, 1-0).
Gjithsesi, ballafaqimi i parë historik me Andorrën daton në vitin 2000, më saktë, më 6 shkurt të vitit 2000, kur Shqipëria fitoi 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në Maltë, në kuadër të turneut "Rothmans Cup", falë golave të realizuar nga Edmond Dalipi, Rudi Vata dhe Roland Zajmi. Skuadra jonë drejtohej asokohe nga Mehdin Zhega. Në takimin e vitit 2002, në fitoren 2-0 të Andorrës në stadiumin "Andorra La Vella", golat mbajnë firmat e Gonzalesit (p) dhe Jimenezit. Duro është i vetmi i mbijetuar nga ajo ndeshje.
Fitorja e këndshme ndaj Malit të Zi, e arritur vetëm para 7 ditësh në Podgoricë, është ende e ngrohtë. Edhe pse Shqipëria do të luajë pa katër titullarë, zëvendëkapitenin Lorik Cana, sulmuesin potent Erion Bogdani, dy mbrojtësit e njohur kosovarë, Armend Dallku e Debatik Curri, trajneri Josip Kuzhe (i pathyer në pesë miqësoret e tij) beson te forca e kuqezinjve të përzgjedhur prej tij për miqësoren e 77-të të Kombëtares.
Me një bilanc ekstrem: vetëm 3 fitore në 88 ndeshje (një nga këto me Shqipërinë), Andorra modeste (vendi i 181-të në FIFA), e që vetëm katër ditë më parë humbi 4-0 me Islandën në Rejkavik, do të paraqitet sot në "Qemal Stafa".
Pasuesi i Ari Hanit, Josip Kuzhe, është një njohës i mirë i futbollit shqiptar, e për më tepër i mentalitetit që kanë futbollistët që ka në dispozicion.
Ish-trajneri i Ruandës tregoi respekt për Andorrën, duke theksuar se për të ndeshja është e rëndësishme, nisur edhe nga fakti se do të testohen disa lojtarë të rinj, prej të cilëve ai pret mesazhe të mira në prag të konfigurimit të grupit bazë në prag të elimnatoreve të Kampionatit Europian të vitit 2012, ku Shqipëria ndodhet në grupin D së bashku edhe me Francën, Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun.
Andorra është një skuadër, ku lojtarët e saj luajnë kryesisht në skuadra që militojnë në Kategorinë e Tretë spanjolle. Në historinë e vet jo shumë të gjatë prej vetëm një dekade, Andorra njeh tri fitore, një prej të cilave ndaj Kombëtares sonë. Andorra ka zhvilluar gjithsej 88 ndeshje ndërkombëtare, duke fituar tri, barazuar nëntë dhe ka humbur 76.
Golaverazhi që ka ky ekip kombëtar është "i frikshëm", pasi kanë shënuar 30 gola dhe kanë pësuar 251 të tillë, me një bilanc negativ prej 221 golash. Fitoret më të thella i ka ndaj Bjellorusisë dhe Shqipërisë (që të dyja me rezultatin 2-0), ndërsa humbjet më të thella i ka regjistruar kundër Çekisë (8-1) dhe kundër Kroacisë (7-0).
Lojtari me më shumë gola që luan aktualisht me përfaqësuesen e Andorrës është mbrojtësi Ildefons Lima 30-vjeçar, që mban shiritin e kapitenit (pas largimit të Oskar Soneje), një ndër dy lojtarët që nuk luajnë në skuadrat vendëse, pasi aktivizohet te zviceranët e Belinzonës. Andorra renditet në vendin e 181 në renditjen e FIFA-s.
Ndeshja e tretë miqësore, Shqipëri-Andorrë do të luhet sot në stadiumin "Qemal Stafa", në orën 20:00./n.m/