Sport-Futboll/ Kuzhe: "Pas Andorrës Mendojmë Për Evropianin"
TIRANË, 2 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/. - Ndeshja e sotme ndaj Andorrës është takimi i fundit miqësor për kombëtaren shiqptare, përpara ndeshjeve eleminatore të Kampionatit Evropian 2012, që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.
Shqpëria bën pjesë në grupin D, së bashku me Francën, Rumaninë, Bjellorusinë, Bosnjen dhe Luksemburgun. Ndërsa pas miqësores me Andorrën, trajneri Josip Kuzhe do të ketë kohë të zhvillojë edhe disa javë pushime.
Kroati pohoi sot në një prononcim për mediat se kohën e lirë do ta kalojë më së shumti në vendin tonë. "Sigurisht që pushimet do t'i kaloj në Shqipëri. Kam biseduar me drejtuesit e federatës për këtë fakt, pasi qershori është një muaj pa impenjime, përveç ditëve të para kur do të ndjek miqësoren e Bosnjës me Gjermaninë dhe atë të Rumanisë me Hondurasin", deklaroi tekniku 57-vjeçar.
"Tri javë të qershorit i kam të lira dhe një pjesë të mirë të pushimeve do t'i kaloj këtu, me bashkëshorten time, ndërsa djali im e ka të pamundur që të vijë. Do të qëndrojmë në Tiranë e Durrës, por ndoshta do vizitoj edhe qytete të tjera", tha kroati.
Por, herë pas here, Kuzhe do të shkojë edhe në stadium, për të ndjekur nga afër paraqitjen e skuadrave shqiptare në kupat e Europës. "Natyrisht, që do t'i ndjek sfidat ndërkombëtare", përfundoi ai.
Ndeshja e parë eleminatore për kombëtaren shqiptare është përcaktuar ndeshja me Rumaninë në Bukuresht, më 4 shtator të këtij viti, ndërsa 4 ditë më pas Shqipëria do të presë përfaqësuesen e Luksemburgut.
Ndërkohë që dy sfidat ndaj ekipit të Francës janë lënë për në fund të kalendarit për Shqipërinë. Në 3 shtator të 2011, Franca do të vijë në Tiranë, ndërsa në 8 tetor të 2011-ës, futbollistët e kombëtares do të udhëtojnë për në Paris. Në mes do të jetë transferta ndaj Luksemburgut.
Sfida e fundit do të jetë në 12 tetor të 2011-ës ndaj ekipit të Rumanisë në Tiranë. Në fakt edhe në eleminatoret e shkuara të Evropianit, Shqipëria ka zhvilluar ndeshjen e parë dhe të fundit ndaj Rumanisë.
- Kalendari i ndeshjeve kualifikuese të Euro 2012
1. Rumani - Shqipëri 4 Shtator 2010
2. Shqipëri - Luksemburg 8 Shtator 2010
3. Shqipëri - Bosnje Hrezegovinë 9 Tetor 2010
4. Bjellorusi - Shqipëri 13 Tetor 2010
5. Shqipëri - Bjellorusi 26 Mars 2011
8. Bosnje Herzegovinë - Shqipëri 8 Qershor 2011
9. Shqipëri - Francë 3 Shtator 2011
10.Luksemburg - Shqipëri 7 Shtator 2011
11.Francë - Shqiperi 8 Tetor 2011
12.Shqipëri - Rumani 12 Tetor 2011
/a.ke/