Tiranë, 2 qershor, NOA - Situata politike në vend dhe qëndrimet e palëve ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve kanë qenë tema e takimit të zhvilluar sot mes Presidentit të vendit, Bamir Topi dhe Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon L. Uithers II.
Në njoftimin e shkurtër të Presidencës, në lidhje me takimin, theksohet se dy personalitetet kanë diskutuar, përveç situatës politike dhe për çështjet e gjyqësorit. Gjë që nënkupton se diplomati amerikan dhe kreu i shtetit janë ndalur dhe në rrëzimin e kandidaturës për anëtar në Gjykatën Kushtetuese.
Për këtë çështje ambasadori amerikan ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj mazhorancës dhe asaj që u vlerësua si votim politik. Ndërkohë që kreu i shtetit nuk e ka komentuar votimin në Kuvend.
“Biseda mes Kreut të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit diplomatik të aleatit më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë u përqendrua në situatën aktuale politike në vend dhe çështjeve të gjyqësorit shqiptar për sa u përket zhvillimeve më të fundit në këtë spektër”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
m.xh/NOA