Trashëgimia Etnokulturore Shqiptare Prezantohet Në Një Konferencë
- Zhvillohet konferenca "Tradita Etnokulturore dhe bashkëkohësia", e cila synon evidentimin dhe ruajtjen e tipareve etnologjike, folklorike dhe artistike shqiptare-
TIRANË, 2 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Tiparet etnologjike, folklorike, artistike, ruajtja dhe evidentimi i tyre, ishin në qëndër të konferencës "Tradita Etnokulturore dhe bashkëkohësia", organizuar nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Qëndra e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS).
E pranishme në këtë konferencë, Zv/ministrja e TKRS, Suzana Turku, u shpreh se "në politikat e ministrisë, një nga nga drejtimet kryesore është ruajtja e trashëgimisë kulturore, që lidhet me strategjinë e turizmit kulturor".
Turku duke u ndalur tek disa nga projektet që MTKRS do të ndërmarrë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, tha se "ka nisur puna për rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar me UNESCO-n dhe qeverinë spanjolle, janë në proçes projekte të rehabilitimit të infrastrukturës nëpërmjet bashkëpuimit me delegacionin e Komisionit Europian në kalanë e Himarës, Krujës dhe Tiranës, janë përgatitur dhe 4 projekte të tjera në qëndrat historike të Shkodrës, Beratit, etj, si ndërhyrje në funksion të cilësisë së jetës së komunitetit".
Një tjetër projekt me rëndësi është edhe hartimi i një projektligji për artizanatin.
"Kemi kontribuar në hartimin e p/ligjit të artizanatit, nëpërmjet të cilit shpresojmë të plotësojmë objektivat tona për mbështetjen ndaj artizanëve, të vendosur pranë qëndrave historike me qëllim forcimin e ruajtjen e trashgimisë kulturore", tha Turku.
Lidhur me mbrojten e trashëgimisë arkeologjike nënujore, ku Shqipëria ka aderuar në dhjetor 2008 në konvetën e UNESCO-s, ajo tha se "jemi duke eksploruar mundësitë për përgatitjet e një muzeu nënujor në një hapësirë të përshtashme gjatë bregdetit adriatiko- jonian".
Duke e cilësuar traditën si faktor kryesor në ndërtimin e së ardhmes, etnografja Afërdita Onuzi theksoi nevojën e zhvillimit të tyre në kushtet kur përgatitemi në të gjitha aspektet për shkuar drejt Europës. "Edhe tradita na shërben që të shkojmë duke u prezantuar me kulturën, vlerat që ka trashgëmia e popullit tonë", tha ajo.
Duke reshtuar marrjen e masave për ruajtjen e etnografisë, Onuzi theksoi se duhet bërë akoma më shumë për t'i vënë në shërbim të turizmit aspektet e bukura dhe etnografike. Në këtë drejtim, ajo tha se "po punojmë për hapjen e një pavioni të madh që do të kryejë funksionin e mjedisit etnografik në Muzeun Historik Kombëtar".
Sipas Onuzit, "kjo do t'i shërbejë jo vetëm studiuesve, por edhe studentëve, krijueseve, artistëve, bazuar në trashgëminë kulturore shqiptare".
Ndërsa prof.dr. Agron Xhakolli, duke folur për folklorin shqiptar, u ndal te festivalet folkloristike, duke theksuar se, "ato nuk duhet t'i konceptojmë në mënyrën e deritanishme tradicionaliste, por duhet që në këto festivale të pranohen krijime të reja që pasqyrojnë realitetin, me arsyetimin se folklori evoluon".
Konferenca "Tradita Etnokulturore dhe bashkëkohësia" i zhvilloi punimet në dy seksione, në atë të folklorit dhe etnologjisë së artit. Qëllimi i saj ishte evidentimi i trashëgimisë sonë kulturore në shumë dimensione e disiplina studimore. /a.ke/