English

Vigjilje e “Miss Shqipëria 2010” 450 vajza në garë

Këtë vit Miss Shqipëria do të shtegtojë në Gjirokastër. Ertemiona Medani dhe përfaqësimi shqiptar në Kinë

Tiranë, 3 Qershor 2010 NOA - Dieta të forta, palestër, prova mbi pasarelë, garderobë e zgjedhur, ngjyrë më e errët flokësh... Ertemiona Meidanit, "Miss Shqipëria 2009", nuk i ka shkuar kot mundi që harxhoi shumë ditë para se të nisej drejt Kinës së largët. Missi që do të vazhdojë të mbajë titullin e më të bukurës shqiptare deri mbrëmjen e 1 korrikut ka ndjerë për së dyti ethet e garës.

Që kësaj here nuk kanë qenë në Shqipëri por në Kinë. Bukuroshja korçare ka përfaqësuar vendin tonë në edicionin e radhës se "Miss Bikini Internacional", që u mbajt për dy javë në Sanaya të Kinës, nga datat 15 maj deri më 1 qershor, kur u shpall fituesja, "Miss Rumania", Diana Irina Boanca. Por edhe shqiptares nuk i ka ecur keq. Ajo ka marrë vlerësim në garën për Miss Fotozhenia, duke u renditur e dyta pas Bosnjës ndërkohë që Shqipëria është renditur e 13-ta në listën e Top 26 vajzave më të bukura të botës, pjesëmarrëse në eveniment.

Ndërkohë producenti Petri Bozo, pasi ka saktësuar detajet e udhëtimit të Ertemionës dhe ka mundësuar pjesëmarrjen e saj në Miss Bikini International, ka nisur një tjetër shtegtim. Pas finales së 30 majit të "Netëve të Klipit Shqiptar", fitues i të cilit i shpall Shpat Deda, mëngjesin e 1 qershorit ka hapur për tre ditë me radhë fazën e parë të konkursit "Miss Shqipëria 2010", atë të seleksionimit.

Në adresë të spektaklit janë regjistruar rreth 450 vajza, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe trojet shqiptare përreth kufirit, nga të cilat do të përzgjidhen vetëm 31 që do të performojnë në kalanë e Gjirokastrës, mbrëmjen e 1 korrikut, kur do të mbahet konkursi i këtij viti. "Është një zgjedhje shumë e vështirë", ka thënë Bozo, duke shtuar se nga prurjet e këtij viti pritet një spektakël dhe konkurs vërtetë i fortë.

a.c/r.n/NOA

KOMENTE