English

Xhaferaj Apel Drejtuesve Të Pushtetit Vendor Për Një Shërbim Turistik Sa Më Efikas

atë konferecës me temë "Turizmi dhe trashëgimia kulturore" me kryebashkiakët e zonave turistike- TIRANË, 2 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, kërkoi sot nga kryebashkiakët e zonave turistike të fokusohen për një shërbim turistik sa më efikas për turistët vendas dhe të huaj, që pritet të vijnë në Shqipëri gjatë këtij viti. Gjatë konferencës me temë "Turizmi dhe trashëgimia kulturore", zhvilluar në mjediset e MTKRS, me kryebashkiakët e kryekomunarët e zonave turistike të vendit si Durrësi, Saranda, Vlora, Himara, Orikumi, Berati etj, Xhaferaj tha se "turizmi për vitin 2010 zë një fond prej 39% të buxhetit të përgjithshëm, një rritje kjo e kënaqshme që na nxit të fokusohemi më tepër për një shërbim turistik sa më efikas", pasi sipas tij, "turizmi duhet të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës, përmirësimin e jetës së popullsisë së zonave pritëse, në ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, etj". Ai tha se Task Forca e ngritur po punon për pastrimin e hapësirave përgjatë rrugëve nacionale, bregdetit dhe zonave turistike, ndërkohë që është përmirësuar dukshëm sinjalistika në Vlorë, Tiranë, Durrës, Fier, Gjirokastër, etj. Duke u ndalur te trashëgimia kulturore ministri Xhaferaj u shpreh se "janë në proçes zbatimi projekte të rehabilitimit të infrastrukturës në qëndrat historike nëpërmjet bashkëpunimit me Delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë, me fonde të CARDS 2006 dhe IPA 2008, në Kalanë e Himarës, Krujës dhe Tiranës". Xhaferaj vuri në dukje se janë përgatitur edhe 4 projekte të tjera të infrastrukturës në qëndrat historike të Shkodrës, Elbasanit, Korcës, etj. Ministri Xhaferaj shprehu vendosmërinë e dikasterit që ai drejton për përmirësimin e aksesit të vizitorëve në Butrint, duke ndërhyrë radikalisht në menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Apollonisë nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në funksion të turizmit dhe rigjenerimin e Muzeut arkeologjik, me investimet në amfiteatrin e Durrësit si dhe me ndërhyrjet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh zonat e trashëgimisë kulturore me rrugët kombëtare. Kreu i MTKRS vlerësoi se "një tjetër prioritet është edhe argëtimi i turistëve, përmes eventeve qoftë nga MTKRS, qoftë nga shoqatat që me të cilat bashkëpunojmë". Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duke renditur disa nga prioritet e Bashkisë që drejton për vitin 2010, tha në një prononcim për ATSH-në se "në kuadër të fillimit të sezonit të ri turistike kemi planifikuar një sërë masash, duke filluar që nga pastrimi i rërës, dezinfektimi, largimi i mbeturinave dhe leshterikëve të grumbulluara gjatë dimrit". "Kemi patur si prioritet edhe sistemimet e gjithë shtëpive të banimit, të cilat në sezonin e verës kthehen në vila për pushuesit, për vizitorët që vijnë nga Kosova, dhe investimet vetëm për infrastrukturën e këtyre zonave kapin një shifër prej 80 milion lekësh", tha ai. Duke u ndalur te numri i vizitorëve që pritet të vijnë në këtë qytet, Dako u shpreh se "të dielën e parë të hapjes së tunelit Thirrë-Kalimash kemi patur një fluks të madh vizitorësh nga Kosova dhe shpresojmë që këtë vit ky fluks të vijë në rritje". Sipas tij, "shërbimi që do t'u ofrojmë vizitorëve do të jetë më i mirë, pasi jeta e pasur kulturore, hapja e të gjitha siteve arkeologjike, do të bëjë që turistët të mos vizitojnë vetëm plazhin e Durrësit, por edhe këto site", tha ai. I pyetur nëse do të zhvillohen aktivitete kulturore gjatë sezonit turistik, Dako tha se "çdo ditë në shëtitoren "Taulantia" do të ketë një koncert masiv, por ajo që do të kulmojë do të jetë Nata e Bardhë në 4 korrik, Festivali i Ndërkombëtar i Filmit, që zhvillohet për tre vite radhazi në Durrës, poeteka e shumë aktivitete të tjera". Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, në një prononcim për ATSH-në u shpreh se "deri në fund të muajit maj në Sarandë kanë ardhur rreth 60 mijë turistë, 40% të huaj dhe 60% vendas, çka do të thotë një rritje prej 12-13% më tepër se vitin e kaluar". Sipas tij, "kjo vjen në bazë të performancës që ka Saranda dhe ne shohim që trendi do të rritet edhe këtë vit". Duke u ndalur te infrastruktura rrugore Gjoka ai tha se "është një bërë një punë e jashtëzakonshme, pasi kanë ndikuar rrugët që vijnë në drejtim të Sarandës, të financuara nga qeveria, siç është rruga e Bregdetit, rruga Qafë Botë- Sarandë, me të gjitha parametrat europiane, në rritjen e numrir të turistëve vendas dhe të huaj". Në 21 maj MTKRS çeli zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2010 në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë, me garën e makinave "Adriatic & Ionian Cassic Rally". Vitin e kaluar numri i turistëve në Shqipëri shënoi një rritje prej 34 për qind krahasuar një vit më parë ose 456.000 turistë më shumë, duke bërë që numri i turistëve për vitin 2009 të arrijë në 3 milionë. Gjatë viteve 2006-2009 qeveria ka investuar mbi 1 miliardë euro për të ndërtuar rrugë që i shërbejnë zhvillimit të turizmit, duke veçuar këtu rrugën Durrës-Kukës-Morin, që lidh Kosovën me Shqipërinë, rajoni nga i cili kemi numrin më të madh të turistëve./s.s./
KOMENTE