English

Asgjesimi i municioneve, rihapet uzina e Mjekësit

Tiranë, 3 qershor, NOA – Për të rritur sasinë e municioneve të vjetra të asgjësuara, Ministria e Mbrojtjes do të rivendos në funksionim disa prej uzinave që më parë shërbenin për prodhimin e municioneve.

Mbledhja e sotme me Bordit të Asgjesimit të Municioneve të Tepërta ka vendosur që në muajin qershor do të ngrihen dhe fillojnë nga puna dy linja industriale në Uzinën e Mjekësit.

“Gjithashtu është në proces shqyrtimi, nënshkrimi i marrëveshjes me NAMSA-n dhe fillimin e projektit për asgjësimin e mëtejshëm të municioneve. Në kombinatin e Poliçanit po përshpejtohet puna për ngritjen e linjës dytë, ndërsa në Uzinën e Gramshit po merren masa për asgjësimin e djegoreve të akumuluara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas ministrisë këto masa janë marrë në zbatim të Planit Veprimit për Asgjësimin e Municioneve të Tepërta në Forcat e Armatosura.

Në mbledhje u bë dhe në raport për punën e bërë deri më sot. Në analizën e bërë nga anëtarët e bordit për ecurinë e këtij projekti, u theksua se vetëm në muajin maj janë asgjësuar në total 1747 ton municione, nga të cilat: 957 ton në poligone dhe 790 ton janë demtonuara në uzina, me një mesatare 87- 90 ton në ditë. Gjithsej gjatë 5-mujorit të parë janar-maj, janë asgjësuar 5215 ton.

Kryetari i këtij Bordi, zv.ministri i Mbrojtjes z.Ekrem Spahiu, në fjalën e hapjes vuri në dukje punën e madhe që është bërë dhe që po vazhdon të bëhet lidhur me asgjësimin municioneve të tepërta të mbledhura ndër vite, që nga koha e sistemit komunist.

“Ky projekt është një ndër prioritetet më të mëdha të Ministrisë së Mbrojtjes, u shpreh Spahiu, dhe për këtë ne kemi edhe mbështetjen e pakushtëzuar të qeverisë dhe të Kryeministrit z.Sali Berisha si dhe të aleatëve tanë ndërkombëtarë, në veçanti të SHBA-ve”, tha Spahiu.

m.xh/NOA

KOMENTE