English

Balla, Berishës: Pa transparencë, “lamtumirë” lëvizjes së lirë në Tetor

Tiranë, 3 Qershor, NOA – Sali Berisha nuk do të gjejë kurrë forcën, vullnetin, integritetin, përgjegjshmërinë dhe pendesën për të luftuar korrupsionin e vetvetes, Sali Berishës.

Me këto fjalë iu drejtua deputetëve në seancën parlamentare të së enjtes, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili i bëri apel kryeministrit Sali Berisha, se “sidoqoftë, do të ishte e udhës që të paktën njëherë të vetme në karrierën tuaj zullum-plotë politike, ju Sali Berisha të tregoheshit i përgjegjshëm e të pranonit një kompromis, të cilin na e kanë ofruar miqtë tanë ndërkombëtarë dhe të cilin Partia Socialiste tanimë e ka pranuar në emër të interesave të Shqipërisë”.

Duke e cilësuar kryeministrin si timonierin e rrangallës së kësaj mazhorance që i është rikthyer zanatit të vjetër, të shurdhit përballë situatës së rëndë politike ku e ka futur vendin me papërgjegjshmërinë e vet, deputeti Balla deklaroi se përrallat për arritjet e papara të qeverisë së tij, synojnë thjesht të ruajtnë interesat klienteliste e familjare.

Balla nënvizoi më tej se Berisha nuk lejon transparencën kushtetuese të zgjedhjeve të 28 qershorit, nga frika se hapja e kutive do t’u provonte shqiptarëve se “Sali Berisha nuk është një kryeministër me votë, por kryeministri i votave të vjedhura”, vërejti deputeti socialist Balla.

Deputeti Taulant Balla tha se “Sali Berisha e dëgjoi fare mirë ultimatumin e Strasburgut. Prandaj i kërkojmë sot Sali Berishës të mos e përsërisë edhe njëherë gabimin e madh që bëri në 1996, duke injoruar kërkesat e partnerëve të Shqipërisë, që të zgjidhet kriza e transparencës, të zgjidhet kriza politike”.

Balla deklaroi përkundër deklaratave të mazhorancës për vendimin historik të heqjes së vizave se “duhet të jetë e qartë për këdo se moszgjidhja e krizës rrezikon të shtyjë apo të ngrijë çdo vendimmarrje për procesin e aplikimit për statusin e vendit kandidat apo lëvizjen e lirë”.

“Zoti kryeministër udha e lëvizjes së lirë dhe e integrimit të vendit në BE është e gjatë, dhe falë keqqeverisjes suaj është bërë shumë më e gjatë se çdo duhej të kishte qenë. Dështimi për të gjetur një zgjidhje për shkak të kokëfortësisë, papërgjegjshmërisë dhe frikës suaj për të lejuar hetimin e plotë dhe tërësisht kushtetues të zgjedhjeve të 28 qershorit, do t’u vononte shqiptarëve plotësimin e ëndrrës për të lëvizur të lirë në Europë.”, përfundoi fjalën e tij në kuvend deputeti socialist Tulant Balla.

mit/NOA
KOMENTE