English

Be-Ballkan - Be-Ja Konfirmon Objektivat Evropiane Pavarësisht Krizës

BEOGRAD, 3 qershor /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian konfirmoi objektivat e tij në fushën e zgjerimit, pavarësisht krizës dhe paqëndrueshmërisë së euros dhe Ballkani Perëndimor ka bërë përpjekje për kompaktësi, gjatë mbledhjes BE-Ballkan të zhvilluar dje në Sarajevë, njoftojnë sot disa ekspertë në shtypin serb. Mbledhja e Sarjevës solli konfirmimin se pavarësisht krizës dhe paqëndrueshmërisë së euros, BE-ja nuk heq dorë nga objektivat e saj të zgjerimit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor, të përcaktuara në vitin 2003 në samitin evropian të Selanikut. "Kjo është më e rëndësishmja", thekson Ivan Vejvoda, drejtor i Fondit të Ballkanit për demokracinë, një qendër analizash me bazë në Beograd, në të përditshmen "Blic". "E rëndësishme është që rajoni të përparaojë, qoftë edhe me milimetra, sepse stanjacioni do të ishte më i keq", shtoi Vejvoda, duke shprehur kënaqësinë që Serbia dhe Kosova morën pjesë që të dyja në mbledhjen e Sarajevës. "Beogradi dhe Prishtina u shprehën se janë të ndërgjegjshëm se duhet të bashkëpunojnë për t'u anëtarësuar në BE, gjë që tregon se me siguri do të arrijnë në një dialog që do të çojë në një zgjidhje për çështjen e Kosovës", vazhdoi eksperti. "Të gjithë pjesëmarrësit në mbledhjen e Sarajevës përfaqësoheshin vetëm me emrat, pa treguar shtetin ose simbole shtetërore. Kjo formulë bëri të mundur shmangien e bojkotit të Beogradit, i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, siç ndodhi me mbledhjen e zhvilluar në Brdo pri Kranju, në mars në Slloveni. "Mbledhja e Sarajevës tregoi se asnjë konferencë rajonale nuk do të dështojë tani e tutje si ajo e Brdo pri Kranju", shprehu kënaqësinë Predrag Simiç, pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit, në të përditshmen "Politika". "Ballkani Perëndimor ka treguar një imazh stabiliteti të paprecedent që prej 20 vjetësh", shtoi po ky specialist në të përditshmen "Blic". Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia si dhe Kosova kishin dërguar përfaqësues në këtë mbledhje. /I.Pu.
KOMENTE