English

Biznesi I Kërkon Parlamentit Miratimin E P/Ligjit Për Gjykatat Administrative

TIRANE, 3 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/.- Ndërsa mungesa për disa muaj e opozitës në Kuvend ka bllokuar miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, një koalicion me 35 shoqata të biznesit shqiptar dhe shoqërisë civile po bën lobing që Kuvendi t'a miratojë atë sa më parë. Ky koalicion rikërkoi me forcë një angazhim më të madh të politikës për ngritjen e sistemit të Gjykatës Administrative. Drejtues të biznesit ritheksuan rëndësinë e vendimit për krijimin e Gjykatës Administrative dhe u shprehën se p/ligji kishte marrë mbështetjen e krerëve më të lartë të shtetit si dhe të biznesit në të 12 qarqet e vendit, si dhe është përgatitur me mbështetjen e programeve të ndihmës teknike të financuara nga Bashkimi Europian dhe qeveria amerikane. "Një bashkësi e madhe biznesi me rreth 35 shoqata kanë krijuar këtë koalicion me qëllimin e vetëm, miratimin në parlament të ligjit për Gjykatën Administrative, një hap që konsiderohet "rast unik" i lobimit të gjithë biznesit në rang Republike, shoqërisë civile dhe individëve të veçantë, pasi objektivi që po përpiqemi të arrijmë është një çështje që na përket të gjithëve", thuhet në deklaratën e Shoqatës së Biznesit. Gjykata Administrative vlerësohet si një mekanizëm i efektshëm në mbrojtje të të drejtave dhe interesave ligjore të qytetarëve dhe biznesit, pasi çështjet që do të trajtojë lidhen me punësimin në institucionet shtetërore, prokurimet publike, tatimet, doganat, pensionet, regjistrimin dhe licencimin e biznesit dhe të pasurive. Shqipëria është vendi i fundit në rajon që nuk ka ende Gjykatën Administrative, hallka që mund të zgjidhë kryesisht mosmarrëveshjet mes biznesit dhe administratës shtetërore. Ngritja e saj si pjesë e sistemit të drejtësisë është dhe një nga kushtet që vendi duhet të plotësojë për anëtarësimin në BE. Gjyqet që kanë të bëjnë me çështje administrative zënë një pjesë të konsiderueshme të proceseve gjyqësore, ndërsa mbartin vlera shumë të larta financiare, pasi procedurat për të zgjidhur qoftë edhe gabime administrative, zgjasin për shumë vite dhe dëmet financiare janë të larta. P/ligji "Për Gjykatat Administrative" u prezantua në muajin shtator 2008 nga Ministria e Drejtësisë dhe u hartua nga ekspertët e misionit europian të asistencës teknike "Sigma". Ky p/ligj u diskutua në komisionet e përhershme të Parlamentit në Tiranë dhe ishte parashikuar të miratohej nga Kuvendi në seancën e fundit plenare të legjislaturës së kaluar. Por në momentin e miratimit të tij opozita u largua nga Kuvendi. Madje Kryeministri Berisha kërkoi edhe thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Parlamentit për miratimin e këtij p/ligji, por opozita nuk u kthye në Kuvend. Në legjislaturën e re të Kuvendit për shkak të bojkotit të opozitës, ky p/ligj ende nuk ka mundur të sigurojë 84 votat e nevojshme për miratim. /s.s./
KOMENTE