Çelet Ekspozita Ne Pikture E Skulpturë E Ermir Grezdës
- Ekspozita përmban rreth 75 punime në pikturë dhe në skulpturë-
TIRANË, 3 Qershor/ ATSH- Suada Daci/.- 75 punime në pikturë dhe skulpturë, të artistit të njohur shqiptar, Ermir Grezda, janë prezantuar sot pasdite në ekspozitën e çelur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
"Ky aktivitet është jubilar për mua duke qënë se në jetën artistike unë kam mbushur 60 vjet dhe mendova që këtë ta festoj me një ekspozitë, e cila është pjesa më kulmore e jetës së një artisti", u shpreh në një intervistë për ATSH-në artisti Ermir Grezda.
Me prejardhje nga një familje e njohur piktorësh, bir i piktorit Qamil Grezda, Ermir Grezda thotë se, "në këtë ekspozitë kam sjellë punime në pikturë dhe në skulpturë duke i gërshetuar të dyja".
Ai tregon se, "në veprat e tij ka peisazhe, portrete, ndërsa disa skulptura mund të jenë shumë mirë pjesë e parqeve tona".
Sipas tij, "skulptura jeton shumë pak dhe unë shpresoj që në atë ardhmen skulpturat të gjejnë prehje në parqet tona dhe të soditen nga njerëzit që janë shumë artëdashës".
Skulptori Grezda tregon se kjo është ekspozita e tij e parë vetjake. "Përpara viteve '90 ne merrnim pjesë me punime të veçanta në ekspozita të ndryshme, kurse ekspozitat personale nuk kanë qënë kriter për artistët", thote ai.
Grezda tregon se, "një portret ekspresiv nuk përdorej në atë kohë, artisti nuk kishte liri qoftë në trajtimin e figurës trupore të femrës, pasi ajo ishte një gjë krejtësisht e ndaluar gjatë periudhës së diktaturës".
I pyetur nëse do të realizojë një ekspozitë tjetër, Grezda thotë se, "skulptura kërkon një suport financiar dhe është shumë e vështirë për t'u realizuar".
Skulptori Ermir Grezda lindi në 13 gusht 1949. Shkollën e mesme e kreu në Liceun Artistik, ndërsa në vitin 1972 u diplomua për skulpturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Nga vitet 1992-2010 është profesor në atelienë e Skulpturës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Gjatë 26 viteve të krijimtarisë së tij ai ka trajtuar punime monumentale, si dhe portrete me qeremikë dhe materiale të tjera. Ka marrë pjesë në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare dhe shumë nga punimet e tij jane ekspozuar në vende si, Itali, Gjermani, Francë, Kosovë, etj. /a.ke/