English

Dhuna në familje, Ksera euforik, reagon Berisha: Ligji, ende larg zbatimit

Tiranë, 3 Qershor, NOA, Blerina Ahmetaj - Shqipëria shënon ende shifra të larta të dhunës dhe krimit në familje.

Kryeministri Sali Berisha ka ulur euforinë e ministrit të Punës, Spiro Ksera, gjatë konferencës për përballjen me stereotipet gjinore.

Ksera renditi suskeset, që sipas tij ka arritur ministria e Punës në rritjen e shifrave të denoncimit ndaj dhunës.

Ndërsa Berisha ka deklaruar se numri i viktimave të dhunës nuk është zvogëluar ndaj kërkohet një zbatim më rigoroz i ligjit kundër dhunës në familje.

“Miratimi dhe zbatimi i ligjeve për barazinë gjinore në shoqëri, atij për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, e së fundi ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, janë hapa konkretë dhe shumë të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nën frymën e dokumenteve ndërkombëtarë dhe, njëkohësisht, një detyrim i përmbushur në kuadër të plotësimit të standardeve dhe aspiratave të qeverisë shqiptare për anëtarësimin në BE”, u shpreh ministri Ksera.

Kryeministri iu kundërpërgjigj se nëse ligjet janë të mira, zbatimi është ende larg.

“Gratë e vajzat vazhdojnë të jenë pre e dhunës në familje, si pasojë e një mentaliteti gati 2 mijë vjeçar të shoqërisë. Unë s’mund të them se shifrat e viktimave të dhunës janë zvogëluar, por nëse ligjet i kemi shumë të mira, zbatimi është ende larg”, deklaroi Berisha.

Sipas raportit më të fundit të Amnesty International për të drejtat e njeriut në Shqipëri, gjatë nëntë muajve të parë të vitit të shkuar janë njoftuar rreth 990 raste dhune në familje, pjesa më e madhe e tyre ndaj grave.

Ndërkohë, ka patur në rradhët e dhunuesve, arrestime dhe dënime për trafikimin e qenieve njerëzore dhe prostitucionit, shkruhet në raport.

Gjatë 2009-ës, Gjykata për Krime të Rënda dënoi pesë persona për trafikimin e grave dhe katër për trafikimin e fëmijëve.

mit/NOA

KOMENTE