English

Dhuna Në Familje- Ksera: Sensibilizimi I Shoqërisë Ka Rritur Denoncimet

TIRANË, 3 Qershor/ ATSH-Erla Gjikolli/. - Rritja e sensibilizimit të shoqërisë ka rritur ndjeshëm numrin e denoncimeve të rasteve të dhunës në familje, tha sot ministri i Punës, Spiro Ksera, duke iu referuar raportit të fundit të Amnesty International për vitin 2009. I pranishëm në Konferencën dy ditore Kombëtare "Sfida ndaj Stereotipeve Gjinore", Ksera sqaroi se treguesi i rritjes së rasteve të denoncuara, nuk duhet të interpretohet si rritje e fenomenit të dhunës në familje, pasi pothuaj në të gjitha rastet, viktimat kanë pranuar se fenomeni ka ekzistuar për një kohë të gjatë. Nëse deri dje dhuna në familje konsiderohej nga shoqëria si tabu dhe problem i brendshëm i familjes, sipas Kserës, tashmë viktimat kanë marrë guximin ta denoncojnë atë, pasi ndjehen më të mbrojtura nga Ligji dhe strukturat e ngritura për menaxhimin e fenomenit. Barazia gjinore është një fushë që kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, tha ministri, duke ftuar për një bashkëpunim më të ngushta organet e pushtetit vendor, për përfundimin sa më parë të procesit të ngritjes së mekanizmave të referimit të rasteve të dhunës në të gjitha njësitë. Duke evidentuar synimin e konferencës, e cila do të vlerësojë dhe rishikojë Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Shanset e Barabarta, Ksera vlerësoi se "zbatimi i legjislacionit dhe kësaj strategjie është një shembull që tregon se, duke bashkëpunuar e koordinuar punën ndërmjet institucioneve të qeverisjes qendrore, vendore, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, objektivat e përbashkëta realizohen më shpejt, më mirë dhe më me lehtësi, sidomos në fusha të tilla, tabu deri pak vite më parë, si kjo e barazisë gjinore dhe dhunës në familje, të cilat kërkojnë pjesëmarrje të gjerë dhe vëmendje të vazhdueshme". Progresi i Qeverisë në fushën e barazisë gjinore është evidentuar, sipas Kserës, edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Në takimet me përfaqësues të misioneve të OKB dhe BE Shqipëria ka marrë vleresime maksimale "për arritjet mbresëlënëse në këtë fushë", të evidentuara edhe në të gjitha Raportet e fundit. Kështu, në Raportin e vlerësimit të Konventës së OKB-së "Për eliminimin e të gjithave formave të diskriminimit të grave" është evidentuar progresi i bërë nga Shqipëria përsa i përket legjislacionit të adoptuar në këtë fushë, i cili është vlerësuar në përputhje me kërkesat e Konventës. "Megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm që ende rolet gjinore të stereotipeve janë të ndjeshme dhe të përhapura në shoqërinë shqiptare, duke përfshirë vetë gratë", vuri në dukje Ksera, sipas të cilit, këto pabarazi shfaqen si në marrëdhëniet familjare, në fushën ekonomike dhe atë politike. Ministria e Punës, në bashkëpunim me OSBE, OKB dhe Koperacionin Austriak për Zhvillim, organizoi konferencën e sotme me qëllim shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet grave dhe burrave për sa i përket stereotipeve gjinore në nivel lokal e kombëtar, për të identifikuar dhe ndaluar stereotipet gjinore. /s.s./
KOMENTE