Drejtori I Përgjithshëm I Atsh, Artur Zheji, Nënshkruan Një Marrëveshje Bashkëpunimi Me Radio Televizionin E Vatikanit
TIRANE, 3 Qershor/ATSH/.-Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, zoti Artur Zheji, nënshkroi në shtetin e Vatikanit, një marrëveshje bashkepunimi mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionit të Vatikanit.
Zoti Zheji, i cili shoqërohej nga Ambasadori i Shqipërise në shtetin e Vatikanit, Rok Logu, u prit në ambientet e Radio-Televizionit të Vatikanit nga Drejtori i Pergjithshëm i këtij institucioni, zoti Frederico Lombardi.
Ndër të tjera në marrëveshjen e nënshkruar përcaktohet se ATSH mund të transmetojë në faqen e saj të internetit edicionet informative audio të Radio Vatikanit, ndërkohë që kjo e fundit, do të marrë nga ATSH lajmet ditore në gjuhën shqipe.
Gjatë bisedimeve u theksua se kjo marreveshje do të pasohet nga hartimi i një promemorjeje, në të cilën do të përcaktohen fusha më të gjera bashkepunimi. Radio Vatikani transmeton çdo ditë në 34 gjuhë të botës./s.s./