English

Durrës: Kushte Të Paqëndrueshme Atmosferike, Deti I Qetë

DURRËS, 3 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. -Në rajonin detar të Durrësit sot do të mbizotërojë mot i paqëndrueshëm, me vranësira të ndërrueshme, ndërsa kushtet detare do të mundësojnë lundrimin pa probleme të trageteve, anijeve dhe motopeshkatoreve, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit. Pas një jave me alternime të motit dhe të kohës sot moti do të jetë përsëri i pastabilizuar, shtuan burimet, sipas të cilave, kjo nuk do të ndikojë në lundrimin e mjeteve detare të çdo lloji. Sipas të njejtave burime, tre tragetet e linjës Bari-Durrës që kanë lundruar gjatë natës nga porti italian po ankorohen njeri pas tjetrit në kalatat përkatëse të portit. Proçesi i ngarkimit dhe shkarkimit të anijeve me mallra dhe konteinerë do të vijojë normalisht, shtuan burimet e kapitenerisë. Mbi 30 motopeshkatore të këtij sektori kanë rifilluar gjuetinë në zonën nga grykëderdhja e lumit Seman në jug deri në atë të Bunës në veri, përfunduan burimet e kapitenerisë së portit më të madh të vendit. /s.s./
KOMENTE