English

Ekon-Prifti: Biznesi Francez Tregon Interes Për Energjine Ne Shqiperi

TIRANE, 3 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Biznesi francez do të rrisë pjesëmarrjen në Shqipëri nëpërmjet investimeve direkte, koncesioneve dhe zhvillimit të industrisë. Ky ka qenë në thelb premtimi që Sekretarja e Shtetit të Francës për Tregtinë e Jashtme, znj. Anne Marie Idrac i bëri ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, gjatë takimit të zhvilluar pak ditë më parë në Paris. Duke veçuar rëndësinë e këtij takimi, ministri Prifti tha në një prononcim për ATSH-në, se ndër të tjera diskutuam për bashkëpunimin në të ardhmen në të gjithë sektorët kyç të ekonomisë. Prifti vuri në dukje se zonja Idrac, nënvizoi rëndësinë që i kushton Franca dinamikës evropiane të Shqipërisë dhe shprehu mbështetjen e saj për rritjen e pranisë franceze në Shqipëri. Sekretarja franceze e shtetit mori përsipër të nxisë organizimin e forumeve dhe seminareve për të njohur investitorët francezë me mundësitë që ofron Shqipëria për të bërë biznes, tha Prifti. Ndërkaq, duke folur për bashkëpunimin ekonomik me Francën, ministri i METE-s, Prifti tha se mundësitë janë më të mëdha për të zgjeruar këtë bashkëpunim. Ai njohu zyrtaren franceze për resurset që ofron Shqipëria për të investuar në sektorin energjetik, më konkretisht në energjinë e rinovueshme, duke i bërë një ftesë të qartë sipërmarrësve franceze, që të shfrytëzojnë këto mundësi. Gjithashtu Ministri u shpreh se, Shqipëria numëron katër marrëveshje bilaterale të lidhura me Francën në fushën ekonomike. Në sektorin elektro-energjetik, bashkëpunimi me kompanitë franceze është disavjeçar. Kompania franceze ALSTOM Francë është kontraktore në projektin e rehabilitimit të HEC-ve në kaskadën e Drinit. Kompania franceze Schneider ka qenë kontraktore në projektin e rehabilitimit të Sistemit të Transmetimit dhe Shpërndarjes i financuar nga institucionet financiare ndërkombëtare. Kompania EDF ka qenë pjesëmarrëse në shërbimet e konsulencës. Në këtë takim, u ra dakord që në të ardhmen të synohet zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh. Ministrija franceze, Idrac, premtoi se do të bëjë maksimumin për të nxitur pjesëmarrjen e kompanive franceze nëpërmjet investimeve direkte, apo pjesëmarrjen në koncesione si edhe në drejtim të zhvillimit të industrisë duke shfrytëzuar lëndët e para të vendit dhe potencialin e infrastrukturës ekzistuese. Vizita e ministrit Prifti u korurzua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Compagnie Nationale Du Rhone s.a. si dhe një Memorandum Mirëkuptimi për sektorin e energjetikës. Nëpërmjet këtij memorandumi, palët synojnë të përmirësojnë sigurinë hidrike të lumit Drin në Shqipëri, ashtu si edhe të optimizojnë resurset e tij energjetike. Sipas kësaj marrëveshjeje, do të mund të vlerësohen qartë kapacitet hidrike të këtij lumi dhe shfrytëzimi i plotë i tij. /a.gj/
KOMENTE