English

Ekon Santixis: Bankat Greke Në Shqipëri Janë Të Shëndetshme

Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Tirana Bankë Dimitris Santixis- TIRANE, 3 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- "Ekonomia shqiptare nuk është prekur shumë nga kriza ekonomike, por sidoqoftë viti 2010 do të jetë një vit tranzicioni për sistemin bankar që kërkon kujdes në drejtim të mbështetjes me kredi për konsumatorët apo bizneset". Kështu deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Tirana Bankë, Dimitris Santixis në një intervistë për ATSH-në, ku ndër të tjera tërhoqi vëmendjen se ndikimi i krizës botërore tashmë po ndihet, ndërkohë që ka edhe disa pasoja të kufizuara nga kriza e Greqisë dhe kjo është normale. Por, përtej këtyre faktorëve, Santixis, u shpreh se nuk shihte ndonjë problem madhor për ekonominë shqiptare. "Pas këtij viti dhe ndoshta edhe pas vitit të ardhshëm, unë besoj se ekonomia shqiptare do të ndjekë një rrugë të sigurt rritjeje dhe prosperiteti"-tha ai, duke u shprehur optimist për të ardhmen e ekonomisë shqiptare, e cila duhet zhvilluar edhe për dia sektorë të tjerë, përveç ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, sic mund të jenë turizmi dhe bujqësia. Duke u ndalur në efektet e krizën greke në sistemin finaciar shqiptar dhe në veçanti për bankat greke, kreu i Tirana Bank, theksoi se "Bankat greke në Shqipëri janë mjaft të shëndetshme dhe bankat greke që veprojnë në Greqi janë gjithashtu mjaft të shëndetshme. Për të ndarë legjendën nga realiteti, vijoi ai, duhet të bëjmë një dallim. Në Europën Perëndimore, problemet ishin të bankave dhe jo të shteteve. Në Greqi, ndodhi e kundërta. Bankat janë ndoshta pjesa më e shëndetshme e ekonomisë greke. Problemet i ka shteti grek, për shkak të defiçitit buxhetor. Kjo ka krijuar një atmosferë të vështirë në vend, por unë shpresoj se brenda dy viteve të ardhshme gjërat do të përmirësohen"-tha Santixis, duke shtuar se bankat në vetvete janë në një pozitë shumë të mirë dhe shumë të shëndetshme. Sipas tij, e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri. Për shembull, ne jemi pjesë e Grupit të Pireut, por nuk jemi degë: jemi një bankë e veçantë, një entitet juridik i veçantë, çka është shumë e rëndësishme të theksohet. Sigurisht, ne kemi hua nga banka mëmë në vlerën e rreth 100 milion eurove, por kjo hua nuk na është kërkuar asnjëherë mbrapsht, çka tregon përkushtimin e Grupit të Pireut ndaj Tirana Bank. "Financimi vazhdon të ngelet dhe ne i përdorim këto fonde për të financuar ekonominë shqiptare. Kjo është një gjë që duhet vlerësuar, pavarësisht gjithë diskutimeve për problemet apo pasojat që mund të vijnë. Dhe argumenti kryesor, që e përmenda që në fillim, është se Tirana Bank vazhdon të jetë fitimprurëse edhe në kohë krize. Kredia po rritet, depozitat po rriten dhe banka vazhdon të jetë e shëndetshme, këtë askush nuk mund ta mohojë. Raportet financiare janë shumë të qarta dhe transparente. Për të gjitha këto arsye, ne kemi një emër shumë të mirë në treg dhe nuk ka asnjë arsye për të pasur dyshime apo pasiguri"-tha Santixis. Nisur nga vështirësitë financiare që mund të shfaqen tek kredimarrësit, z.Santixis thotë se Tirana Bank ka publikuar dy politika të reja për t'i ardhur në ndihmë klientëve të saj. "Nëse dikush nga klientët tanë mund të ketë probleme me kreditë hipotekore, kjo bankë i ofron mundësinë që të paguajë 50 % më pak të këstit mujor", - informon drejtori. Ndërkohë në fokusin e punës së saj, - shton ai, - do të jenë edhe ata kreditorë që mund të humbasin vendin e punës, pasi gjithçka mund të ndodhë. Edhe për ata do të lehtësohen pagesat e principalit dhe interesave deri në 50%. Por për drejtorin e bankës i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me qeverinë. Ai kërkon që sistemi bankar të jetë më i informuar nga ekzekutivi lidhur me projektet e reja. Por banka do të financojë vetëm ato që janë të mirëstudiuara dhe nuk do të kreditojë cilindo që kërkon të bëjë biznes. "Ne do të mbështesim çdo projekt i cili nuk bie ndesh me bukurinë natyrore, për shembull nuk jemi dakord të ndërtojmë një pallat me 10 kate në qytetin e Gjirokastrës. Ajo çfarë në mendojmë është se, pamja e Shqipërisë duhet të jetë më e organizuar", - shprehet Santixis. Sipas tij, banka nuk do të mbështesë investimet spontane, të cilat nuk i shërbejnë zhvillimit pozitiv të ekonomisë./a.gj/
KOMENTE