Gjermania Jep 78,2 Milione Euro Ndihmë Financiare Per Vitet 2010-2011
-Ambasadori i Gjermanisë, Bernd Borchard, takim me gazetarë të Klubit të Medias, në mjediset e ambasadës-
TIRANE, 3 Qershor/ATSH, Nini Mano/- "Ndihma e re financiare, që shteti gjerman ka caktuar për Shqipërinë për vitet 2010-2011 në përfundim të bisedimeve ndërqeveritare Shqipëri-Gjermani, arrin në 78 milionë euro", tha sot Ambasadori Bernd Borchard gjatë takimit me gazetarët e Klubit të Medias, organizuar në mjediset e ambasadës së Gjermanisë në Tiranë.
Duke bërë të njohur përfundimin e bisedimeve ndërqeveritare në 18 Maj në Tiranë, Ambasadori Borchardt shtoi se "në 21 vjet bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve, kjo shumë së bashku me 200 milionë euro që u dhanë për dy vitet e mëparshme e bën ndihmën financiare të Gjermanisë për Shqipërinë që të arrijë në 1 miliardë euro".
Ambasadori Borchard dha lajmin se dje, shteti gjerman vendosi dhënien e bursave për të rinj dhe të reja shqiptarë që do të mund të studjojnë në universitetet e Gjermanisë në degë të ndryshme.
Gjithashtu Ambasadori Borchard njoftoi organizimin më 10 Qershor në qytetin e Hamburgut (Gjermani) të Konferencës Ekonomike Gjermano-shqiptare "Potencialet e rritjes: infrastruktura, logjistika, tregtia".
Kjo konferencë organizohet nga Shoqata Ekonomike Gjermano-shqiptare në Berlin, Dhoma e Tregtisë së Hamburgut, Ministria Federale për Ekonomi dhe Teknologji e Gjermanisë, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, Unioni i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, etj.
"Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë mbi 120 biznese të interesuar për bashkëpunime ekonomike", tha ambasadori Borchard, duke u ndalur të bashkëpunimi ekonomik mes dy qeverive, si dhe bizneseve private në fusha të ndryshme.
Zv/ambasadori gjerman, Jan Rudolph bëri të ditur përdorimin e fondit prej 78,2 milionë euro të shtetit gjerman për qeverinë shqiptare, që do të përdoret kryesisht në fushat e energjetikës, për efiçencën e energjisë, sigurinë e digave, në projekte për një zhvillim të qendrueshëm ekonomik, si në kanalizime dhe ujësjellësa në zona të ndryshme rurale, etj. Ndër projektet që do të financohen nga fondet gjermane do të jenë dhe programi i infrastrukturës komunale, mbështetje për sektorin financiar, për SME-të në zona rurale, etj.
Një ndër projektet e reja që pritet të shërbejë si model për t'u zhvilluar edhe në zona të tjera, do të jetë mbështetja gjermane për ngritjen e landfilldit për mbetjet urbane në rajonin e Korçës.
Drejtorja rajonale e bankës KfW për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, Ute Rodrian dha detaje për projektin e menaxhimit të mbetjeve urbane në rajonin e Korçës. Në këtë projekt do të përfshihen 24 njësi vendore, mes të cilave, bashkitë e Korçës, Pogradecit, Ersekës, si dhe disa komuna.
Modeli gjerman që do të zbatohet në realizimin e këtij projekti përfshin ngritjen e infrastrukturës lokale në zhvillimin e këtij projekti. "Ndër to është shoqata lokale për menaxhimin e mbetjeve urbane, që përfshin jo vetëm grumbullimin e tyre në një ladfilld me standarde bashkëkohore, por dhe ndarjen e mbeturinave sipas kategorive", tha ndër të tjera Rodrian.
Gazetarët e Klubit të Medias pranë kësaj ambasade u njohën edhe me programet e zhvillimit në fushat e shendetësisë, ku përmes një programi po asistohet Instituti i Sigurimit të Shendetit Publik, reforma shëndetësore, etj.
Gjithashtu atashe ekonomike, Sabine Schultz bëri të ditur ndihmën ndaj shtresave në nevojë me një fond, që ambasada ka caktuar për vitin 2010, të cilat po zhvillohen në rrethe të ndryshme. Moto e ndihmës në këto projekte që financohen nga ambasada gjermane është "ndihmojmë për t'u vetëndihmuar" dhe orientohen kryesisht në njerëz që kanë nevojë për mbështetje të tilla.
Me fondin e sivjetëm prej 50 mijë euro, ambasada Gjermane po mbështet 4 projekte rehabilitimi, të përzgjedhur mes 12 kërkesave aplikuese, sikurse është një kopësht fëmijësh në Pukë, një në Kuçovë, një shkollë në fshatin Velçan në rrethin e Pogradecit si dhe Qëndra për fëmijët me probleme në Vaqarr.
Klubi i medias pranë ambasadës së Gjermanisë në Tiranë përfshin gazetarë të mediave për fusha të ndryshme, të cilët çdo vit bëhen pjesë e ekspeditave të kryesuara nga ambasadori gjerman dhe stafi në zona ku zhvillohen projekte me financim të shtetit gjerman./n.m/