English

Gjykata, Dëshmi Tjetër Kundër "Bandës Së Durrësit"

TIRANË, 3 Qershor/ATSH/. - Vijojnë në Gjykatën e Krimeve të Rënda dëshmitë kundër "Bandës së Durrësit", mbi të cilën rëndojnë disa ngjarje të rënda kriminale, ndër të cilat disa vrasje të ndodhura vite më parë. Në seancën e zhvilluar sot në këtë Gjykatë, dëshmitari i radhës i prokurorisë, Nikolla Ongari, dëshmoi për vrasjen e birit të tij, Eduardit, në vitin 1999 në Durrës, duke fajsuar për këtë ngjarje bandën e drejtuar nga i pandehuri Lul Berisha. "Më thanë që djalin ma vrau banda e Lul Berishës", u shpreh ndër të tjera dëshmitari para Gjykatës. Pas kësaj dëshmie, palët në proces u përfshinë në debate të ashpra, ku në njërën anë ishte pala mbrojtëse, që shprehu kundërshtimet e saj për këtë dëshmi, ndërsa në anën tjetër, përfaqësuesit e prokurorisë që hodhën poshtë pretendimet e saj si të pabaza. Dëshmia e Nikolla Ongarit pason ato të bëra seancat e mëparshme nga dëshmitarët e prokurorisë, të cilët kanë dëshmuar mbi episode kriminale, ku mendohet se janë përfshirë të pandehurit e "Bandës së Durrësit". Si të pandehur në kete proces janë 16 persona, të akuzuar si anëtarë të "Bandës së Durrësit", e cila kishte për drejtues të pandehurin Lulzim Berisha. Të dyshuarit si anëtarë të kësaj bande akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, ndër të cilat, vrasje dhe trafiqe ilegale, të ndodhura në harkun kohor 1994 -2003. Të pandehurit e bandes së Durrësit janë arrestuar në këto pese vitet e fundit nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. /a.m/s.s./
KOMENTE