English

Gjykatësit shqiptarë në shënjestër të drejtësisë maqedonase

Shkup, 3 qershor, NOA - Gjykatësit shqiptarë theksojnë se janë pjesë e hakmarrjeve dhe presioneve politike, vetëm e vetëm për të njollosur karrierën dhe profesionin e tyre.

Ata rrëfejnë se në shumë raste përgatiten kurthe ndaj tyre, duke i nxjerrë në situatë të palakmueshme.

Dhënia e lëndëve problematike, presionet për të zgjidhur raste apo për të lobuar si dhe kurthet e ndryshme të parapërgatitura janë skenarët që vazhdimisht kanë në shënjestër gjykatës shqiptarë në instancat e ndryshme gjyqësore.

Hakmarrja, revanshizmi dhe problemet që mund ti pësojnë ata, janë edhe arsyet se përse pa emra dhe pa zbulim të identitetit flasin gjykatësit shqiptarë. Shqetësimet e tilla të gjykatësve shqiptarë dëshmohen edhe nga avokatë dhe ekspertë të çështje juridike.

“Jemi të vetëdijshëm për situatën e krijuar dhe situatat e pavolitshme në të cilat gjenden gjykatësit, sidomos ata shqiptarë, të cilët në të shumtën e rasteve janë larg mbështetjeve politike dhe në të shumtën e rasteve janë pjesë e skenarëve, duke qenë viktima”, ka theksuar profesori i së drejtës dhe ish-avokati Osman Kadriu.

Sipas tij, gjykatësit shqiptarë nuk duhet të frikësohen fare për pozitën e tyre dhe të përballojnë me ngulmë të gjitha presionet që i bëhen anash.

Gjykatësit shqiptarë janë edhe viktima të aferave mediale, sepse ata ndiqen në çdo hap nga media të caktuara, të cilat alarmojnë rastin apo lëndën e gjykatësit shqiptarë, e cila më pas sanksionon gjykatësin shqiptar.

NOA-INA

KOMENTE