English

Ilir Meta: Çështja e vizave, vetëm e karakterit teknik

Tiranë, 3 Qershor, NOA - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, konfirmon angazhimin e Bashkimit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë një konference me gazetarët pas kthimit nga Takimi i Nivelit të Lartë i Sarajevës për Ballkanin Perëndimor, ai tha se përfaqësuesit e BE-së dhanë gjatë tij, mbështetje unanime për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.

“Duke ju përshëndetur të gjithëve për pjesëmarrjen, për të gjithë ata që ndoqën nga afër punimet e takimit të nivelit të lartë të Sarajevës gjatë ditës së djeshme, dua të shpreh kënaqësinë për zhvillimin e këtij evenimenti shumë të rëndësishëm për rajonin tonë, për Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë në veçanti pa dyshim edhe për Kosovën, pasi ishte një risi sepse ky është evenimenti i tretë më i rëndësishëm për rajonin tonë, organizuar nga Bashkimi Evropian pas samitit të Zagrebit dhjetë vjet më parë dhe atij të Selanikut ku për herë të parë Ministri i Jashtëm i Kosovës ulet si i barabartë me të gjithë përfaqësuesit e tjerë dhe fjala e Kosovës dëgjohet me shumë vëmendje.

Përveç angazhimeve të theksuara nga të gjithë personalitetet pjesëmarrëse për rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në të gjitha nismat rajonale dhe integruese duke filluar sa më shpejt me procesin e liberalizimit të vizave dhe duke vijuar më tej edhe me vetë çështjen e anëtarësimit, bërjes pjesë edhe të Kosovës në BE.

Ky eveniment shumë i rëndësishëm i kushtoi një vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor, jo thjesht dje, por për një kohë të gjatë të vetë nismës së këtij takimi të nivelit të lartë, të përgatitjeve, të mesazheve dhe jam i bindur që do të vijojë kjo jehonë pozitive, ky inkurajim që mori rajoni ynë, që mori dhe Shqipëria.

Së pari këtu u tregua qartë se edhe pse Bashkimi Evropian ka përjetuar zgjerime të rëndësishme dhe është pikërisht në vënien në funksionim të institucioneve të reja sipas Traktatit të Lisbonës edhe pse ndeshet me probleme të mëdha sikurse është dhe kriza ekonomike, financiare, globale edhe problemet me vende të caktuara të Bashkimit Evropian dhe të Eurozonës edhe pse është i angazhuar në kriza të tjera, sikurse është dhe situata delikate në Lindjen e Mesme, apo në rajone të tjera, përsëri BE-ja është e vendosur për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor, zgjerimin e saj me Ballkanin Perëndimor, integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si një prioritet shumë të rëndësishëm.

Në veçanti, do të doja të theksoja dhe mbështetjen që në mënyrë unanime të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian i dhanë propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe për Bosnjën.

Kjo mbështetje e plotë, unanime dhe politike pa dyshim që është një moment shumë pozitiv, është një moment shumë i rëndësishëm pasi në këtë mënyrë jepet një mesazh i qartë se, Integrimi Evropian është një proces i prekshëm dhe pas këtij hapi, pa asnjë diskutim dhe hapa të tjerë do të vijojnë.

Së dyti, u theksua se për të përshpejtuar perspektivën evropiane mbetet shumë i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal i vendeve të rajonit tonë, sidomos në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, që është shumë e rëndësishme për të përmirësuar më tej, jo vetëm imazhin e rajonit, por edhe për tu dhënë më shumë siguri qytetarëve të BE-së se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të cenojë aspak standardet e sigurisë së tyre, përkundrazi.

Po kështu theksova bashkëpunimin rajonal për sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me modernizimin e infrastrukturës së përbashkët rajonale, por edhe të integrimit të vetë infrastrukturës së rajonit tonë me atë të Bashkimit Evropian. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është theksimi që, përveç reformave të brendshme, përveç forcimit të bashkëpunimit rajonal, përveç plotësimit të kritereve për anëtarësim është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të gjitha vendet e rajonit që kanë ende probleme të pa zgjidhura bilaterale midis tyre, ti zgjidhin në frymën evropiane të dialogut dhe të mirëkuptimit.

Unë vlerësoj se kjo ngjarje e cila u zhvillua pikërisht në një qytet që përbën brengën më të freskët të Evropës, është një shpresë e rëndësishme për të gjithë rajonin tonë sepse thekson një angazhim të qartë, të vendosur dhe të palëkundur të BE-së për të vazhdua politikën e zgjerimit në të ardhmen pikërisht me Ballkanin Perëndimor”.

Z. Meta, mesa duket afati 3-javor i vënë nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e ngërçit politik duket sikur po skadon. A do të ndikojë kjo gjë në procesin e liberalizimit të vizave?

Çështja e liberalizimit të vizave është tërësisht e bazuar mbi kritere dhe standarde konkrete dhe teknike që duhen plotësuar. Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha përveç tre elementeve të caktuar që janë në proces dhe ku ne vazhdimisht vazhdojmë të raportojmë lidhur me përmbylljen e tyre përfundimtare.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se mos funksionimi si duhet i dialogut politik është një element pozitiv për stabilitetin e institucioneve, sidomos të parlamentit në vend apo për ecurinë e reformave në drejtime të rëndësishme sidomos në fushën e drejtësisë dhe të gjyqësorit.

Besoj se takimi i zhvilluar në Strasburg, përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë dhe bëhen nga përfaqësues të Parlamentit Evropian apo të komunitetit ndërkombëtar do të vijojnë dhe njëkohësisht së bashku me to do të rritet edhe përgjegjësia për të vendosur një dialog politik të qëndrueshëm, larg kushteve dhe ultimatumeve të pa nevojshme, të cilat më shumë se sa përparimin e dialogut politik synojnë realizimin e tekave apo kapriçove individuale që nuk tregojnë as pjekuri politike, as përgjegjshmëri politike dhe as vendosje të interesave të vendit dhe të Integrimit Evropian, që është një interes kombëtar për gjithë qytetarët shqiptar, pikërisht në vendin e parë.

Z. Meta, folët për bashkëpunimin rajonal, por Serbia para pak ditësh zhvilloi zgjedhjet e pjesshme në veriun e Mitrovicës, a është ky bashkëpunimi rajonal për të cilën ju flisni?

Ne e kemi bërë të qartë prej kohësh që kur janë shpallur këto zgjedhje se ato nuk ndihmojnë aspak për të forcuar stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit tonë as për të përmirësuar standardet e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të saj. Kemi konfirmuar qartësisht që ne mbështesim strategjinë për veriun e Kosovës, të qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe jemi të bindur se pavarësisht vështirësive që ndeshen, për momentin, implementimi i saj, është e vetmja zgjidhje për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe sidomos për ata që jetojnë në veriun e saj.

Z. Meta, duke qenë se kriza nuk po zgjidhet, a do ndikojë mos zgjidhja e saj në procesin e liberalizimit të vizave?

Duhet hequr dorë nga ndikime dhe qëndrime tekanjoze të cilat janë jashtë logjikës së dialogut dhe frymës së një zgjidhje demokratike dhe konstruktive. Kushtetuta e Shqipërisë, Kodi Elektoral, i gjithë legjislacioni ynë u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjithë pretendimeve të ngritura nga lidershipi i opozitës për ti njohur, për ti respektuar këto institucione që janë të përbashkëta dhe për të shfrytëzuar të gjithë hapësirën që lë kushtetuta e vendit.

NOA

KOMENTE