English

Informatikë - Sistemi Operativ "Chrome Os" Mbërrin Në Vjeshtë

ROMË, 3 qershor /ATSH-ANSA/ - "Chrome OS", sistemi operativ me të cilin "Google" synon të revolucionarizojë botën e kompjuterave personalë, do të jetë i disponueshëm për përdoruesit në vjeshtën e këtij viti, njoftoi sot zëvendëspresidenti i kompanisë së "Mountain View", Sundar Pichai, gjatë konferencës Computex që po zhvillohet në Taipei. Prezantuar për herë të parë nëntorin e kaluar, "Chrome OS" është përqendruar te Interneti. Kompjuterat që do ta përdorin, në fillim kompjuterat portativë, më pas netbook-ët, mini kompjuterat dhe desktop-ët, nuk do të kenë nevojë për shumë memorie sepse pjesa më e madhe e programeve nuk do të jetë në kompjuter por në internet. "Për këtë arsye nxjerrja në treg e Chrome OS do të korrespondojë me hapjen e dyqanit online Chrome Store, në mënyrë që përdoruesit mund të shkarkojnë programet për të cilat kanë nevojë", shpjegon Pichai. Programet do të funksionojnë siç ndodhe me Gmail dhe Docs, dy produktet që lejojnë të memorizosh mesazhe elektronike, tekste dhe dokumente në përgjithësi që ruhen në serverat e "Google" dhe të cilat mund t'i përdorësh nga çfarëdo kompjuter ose telefon celular që lidhet me Internetin. Me "Chrome OS", "Google" përgatitet të sfidojë kompaninë "Microsoft", e cila shpërndan sistemin "Windows" që është instaluar në rreth 90 për qind të kompjuterave në të gjithë botën. /e.v/
KOMENTE