English

Këshilli I Mandateve Vijon Debatin Për Amendimin E Rregullores Parlamentare

TIRANË, 3 Qershor/ATSH/.- Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, gjatë një mbledhje me dyer të mbyllura, vijoi sot diskutimet rreth amendimeve të propozuara nga një grup deputetësh të maxhorancës, mbi disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit, që synojnë përmirësimin e veprimtarisë së këtij institucioni në marrëdhënien e tij me dekretet e Presidentit të Republikës dhe dhënien e pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Sipas informacionit për shtyp nga Kuvendi, pas një debati të gjatë dhe të detajuar, lidhur me proçedurën dhe pretendimet që deputeti socialist Gramoz Ruçi ka bërë publike, anëtarët e Këshillit shkëmbyen pikëpamje kryesisht për përmbajtjen, motivet, doktrinat argumentimet dhe modelet juridike që janë në fuqi në vendet e demokracive parlamentare, për emërimin e funksionarëve të lartë të gjyqësorit. Nga ana e anëtarëve të maxhorancës në këtë Këshill u shpjegua se votimi i hapur për gjyqtarët e lartë, është konkretizim jo vetëm i parimit të transparencës, por dhe i parimit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së parlamentit, i cili është i sanksionuar dhe funksionon me sukses në shumë prej modeleve solide të demokracisë parlamentare. Në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dhënia e pëlqimit nga ana e Kuvendit ështe kompetencë substanciale dhe jo formale e tij. Kjo kompetencë substanciale që të ushtrohet, ka nevojë për instrumenta substancialë. Ky është dhe motivi ku mbështeten amendamentet e rregullores parlamentare. Nga ana e deputetëve të Partisë Socialiste u kërkua që të merret kohë, për diskutimin e përmbajtjes dhe për shkëmbimin e mëtejshëm të argumentave. Kryetarja e Kuvendit kërkoi që materialet lidhur me modelet e ngjashme të parlamenteve te tjera, të studiohen nga të gjithë kolegët përpara se diskutimi rreth amendamenteve, të vijojë në Këshill, mbledhja e radhës e të cilit do të vijojë të hënën e ardhshme (7 qershor). Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është një organ i Kuvendit, i përbërë nga 10 deputetë të emëruar nga kryeparlamentari, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Këshilli kryesohet nga Kryetari i Kuvendit. Këshilli studion propozimet për ndryshimin e Rregullores, jep mendime për çështje të interpretimit të Rregullores, për konfliktet në lidhje me kompetencat ndërmjet komisioneve të Kuvendit, etj./a.s//a.gj/
KOMENTE