"Koleksioni I Përhershëm", Në Fundjavë Premierë Në Tk
TIRANË, 3 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- Drama 2 gjuhëshe (shqip dhe anglisht) "Koleksioni i përhershëm", me autor Thomas Gibbons, e përkthyer në shqip nga Pirro Dollani, do të vihet në skenë për publikun shqiptar në datat 5-6 qershor.
Regjinë e ka marrë përsipër regjisori amerikan, Clarense Gilyard dhe aktori Mirush Kabashi, ndërsa në rolet kryesore interpretojnë aktorë të njohur të skenës, si Mirush Kabashi, Fatos Sela, Tinka Kurti, Ema Andrea, Esmeralda Metka dhe vetë regjisori Gilyard.
Skenografia është realizuar nga Bashkim Zahaj, i cili rikthehet pas 20 vitesh në TK, kostumografia nga Edlira Qyshka dhe e gjithë shfaqja mbështetet nga Ambasada Amerikane në Shqipëri.
I njohur për rolet e shumta në Hollivud, regjisori Clarense Gilyard, pedagog në universitetin e Nevadës në Las Vegas, tha sot në një konferencë për shtyp se "ndihem i nderuar që punoj me një kastë të tillë aktorësh, dhe se ndihem përgjegjës për të sjellë një pjesë teatrale dinjitoze për publikun shqiptar".
"Kur punoj në teatër zgjedh të bëj një punë sa më profesionale, kjo më motivon sepse unë nuk e quaj veten qytetar të Amerikës, por të të gjithë Botës". Ai vlerësoi se "nëse Shqipëria ka aktorë si kasta e aktorëve që punoi me mua atëherë ju jeni me fat".
Ndërsa bashkëregjisori dhe aktori i mirënjohur i skenës shqiptare, Mirush Kabashi, e cilësoi këtë dramë si një shfaqje intelektuale. "Shfaqja do të vihet e plotë në skenë dhe është një shfaqje intelektuale", tha Kabashi, duke shtuar se "ndihemi të privilegjuar që kemi pasur fatin të punojmë përreth 1 muaj me një personalitet të këtij niveli siç është Clarence Gillyard".
"Është një eksperiencë unike që ne patëm përreth 1 muaj dhe dua të shpreh keqardhje që disa regjisorë shqiptarë apo edhe studentë, që vazhdojnë për regjisurë, nuk ishin pjesëmarrës për të përfituar nga kjo eksperiencë e domosdoshme për teatrin shqiptar".
Drama e Thomas Gibbonsit "Koleksioni i Përhershëm" është premiera e katërt e sezonit artistik 2010 e Teatrit Kombëtar.
Gjatë 2 orëve të kësaj premiere do të trajtohen çështje dhe probleme që lidhen me shoqërine, pushtetin, vlerat, integritetin dhe frikën. Në skenë jepen imazhe të veprimeve në muzetë të vizituara nga qindra njerëz nga të gjithë sferat e jetës, që shprehin opinione të menjëhershme e të ndryshme ose te panjohura për ta ose për njerëzit e tjerë në kohëra të ndryshme./s.s./