Koment - Komision Hetimor Për Flotiljen: Izraeli Përdor Një Dredhi Të Mos U Marrë Në Shqyrtim
JERUSALEM, 3 qershor /ATSH-AFP/ - Izraeli paraqiti sot një dredhi për të mos u marrë në shqyrtim nga një komision hetimor ndërkombëtar lidhur me sulmin e përgjakshëm kundër një flotiljeje humanitare propalestineze në afërsi të Gazës, duke u përpjekur në të njëjtën kohë për një zgjidhje kompromisi me Shtetet e Bashkuara.
Izraeli e kundërshtoi një rezolutë të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë që miratoi një hetim ndërkombëtar, duke theksuar se kjo instancë nuk ka asnjë autoritet moral.
"Autoriteti i këtij këshilli që i kundërvihet edhe një herë tjetër me obsesion Izraelit ka arritur në zero absolute", i deklaroi AFP-së zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ygal Palmor në Jerusalem.
Por, dy ministra u shprehën publikisht në favor të një hetimi, por të kryer vetëm nga izraelitë.
"Thirrjeve të bëra për krijimin e një komisioni hetimor ndërkombëtar, duhet t'u përgjigjemi pa ngurrim se Izraeli është një shtet demokratik i pavarur dhe jo një republikë bananesh", theksoi zëvendëskryeministri i ngarkuar me çështje strategjike, Moshe Yaalon.
"Jemi të aftë të hetojmë, të nxjerrim mësime, më tej t'i zbatojmë ato. Por, duhet që gjatë gjithë këtij procesi të mos vetëndëshkohemi", shtoi ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, anëtar i kabinetit qeveritar të sigurisë.
Ministri i Financave Juval Steinic kundërshtoi gjithashtu një komision hetimor ndërkombëtar dhe sugjeroi krijimin e një "komiteti verifikimi" që mund të krijohet nga komisioni i Mbrojtjes dhe i Çështjeve të Jashtme të parlamentit.
Megjithatë, Steinic nuk përjashtoi që, "për arsye taktike", Izraeli "të jetë për fat të keq i detyruar të parashikojë një zgjidhje tjetër.
Sipas mediave, Izraeli do të negociojë me Shtetet e Bashkaura për krijimin e një komisioni të pranueshëm nga të dy aleatët.
"Disa kontakte janë vendosur me amerikanët", i konfirmoi AFP-së një zyrtar i lartë qeveritar i cili preferoi të mbetej anonim, pa dhënë hollësi të tjera.
Sioas medias izraelite, mes opsioneve të diskutuara me Uashingtonin është edhe krijimi i një komisioni hetimor të drejtuar nga një "jurist i njohur ndërkombëtar" dhe i përbërë nga përfaqësues izraelitë dhe vëzhgues amerikanë.
Shtetet e Bashkuara u shprehën përsëri dje që autoritetet izraelite të angazhohen vetë në hetimin e kërkuar nga OKB-ja për sulmin izraelit, duke theksuar se shteti hebre i ka të gjitha aftësitë të ndërmarrë një investigim "të besueshëm".
Uashingtoni miratoi të martën thirrjen e OKB-së për një hetim "të shpejtë, të paanshëm, të besueshëm dhe transparent" lidhur me sulmin që shkaktoi nëntë të vdekur mes aktivistëve propalestinezë, të cilët po përpiqeshin të dërgonin ndihmë humanitare në Gaza.
Vitin e kaluar, Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut ka mandatuar gjykatësin afrikanojugor Richard Goldstone për të hetuar lidhur me operacionin "Plumbi i ashpër", i ndërmarrë nga ushtria izraelite kundër lëvizjes islamike Hamas në periudhën dhjetor 2008-janar 2009 dhe që ka shkaktuar më tepër se 1 400 të vdekur në radhët e palestinezëve.
Izraeli e kundërshtoi bashkëpunimin me këtë komision hetimor që, në konkluzionet e tij, e akuzoi Izraelin dhe disa grupe të armatosur palestineze se kanë kryer krime lufte dhe rekomandoi që çështja të dërgohej në Gjykatën Penale Ndërkombëtare CIJ nëse shteti hebre nuk pranon fillimin e një hetimi "të besueshëm".
Izraeli mbajti sot këtë linjë në qëndrimin e tij, duke mos pranuar ta shohë veten të akuzar nga vende si "Xhibuti, Pakistani, Kuba ose Arabia Saudite që janë shumë pak të mirëbesuara për t'u paraqitur si mbrojtës të të drejtave të njeriut që ato i shkelin në masë", bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ygal Palmor.
/I.Pu.