English

Kosovë - Ahtisaari-Thaçi: Propozimi Gjithëpërfshirës Për Statusin Ka Qenë E Vetmja Alternativë Dhe Vazhdon Të Jetë Mbështetës I Pavarësisë

PRISHTINË, 3 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Presidenti Marti Ahtisaari, ish-ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, në takimin me Kryeministrin Hashim Thaçi, i cili nisi një vizitë zyrtare sot në Finlandë, ka shprehur mbështetjen e tij për Kosovën në rrugën e ndërtimit të pavarësisë së saj. Ahtisaari ka shprehur bindjen e plotë se "propozimi i tij Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës ka qenë e vetmja alternativë për Kosovën, dhe vazhdon të jetë mbështetës i pavarësisë së Kosovës". Zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës bëri të ditur se Kryeministri Thaçi e ka njohur Presidentin Ahtisaari me progresin që Kosova është duke shënuar në procesin e shtetndërtimit dhe konsolidimit të saj si shtet i pavarur. "Qeveria dhe të gjitha institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar me përgjegjësinë e tyre të plotë për të jetësuar të gjitha obligimet e tyre në procesin e shtetndërtimit dhe ndërtimit të paqes në rajon", është shprehur Kryeministri Thaçi. Kryeministri kosovar ka vlerësuar lart edhe angazhimin e të gjithë partnerëve ndërkombëtar në mbështetje të Kosovës për të çuar përpara proceset dhe progresin në Kosovë, në drejtim të ndërtimit të një shoqërie të barabartë, demokratike dhe prosperuese për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme do të takohet edhe me Kryeministrin finlandez Matti Vanhanen dhe ministrin e Jashtëm, Alexander Stubb./s.s./
KOMENTE