English

Kryeministri Berisha: Opozita Të Pranojë Ofertën Për Zgjidhjen E Krizës

TIRANË, 3 Qershor/ ATSH-Erla Gjikolli/. - Kryeministri Sali Berisha, në një prononcim për mediat, i kërkoi sot Kryetari të PS-së, Edi Rama, të pranojë ofertën e propozuar nga maxhoranca për zgjidhjen e situatës politike në vend. Kryeministri theksoi se "në këtë ofertë kushdo mund të konstatojë se kjo maxhorancë nuk ka asnjë detyrim ligjor për asnjërën nga premtimet e kësaj oferte, por maxhoranca e bën këtë në respektin më të madh për opozitën, shoqërinë dhe vendin". Në lidhje me Samitin e Sarajevës, Berisha tha se "ky samit dha mbështetjen e BE-së për integrimin e Shqipërisë". "Takimi i Sarajevës është një evenimet historik për Ballkanin, një mbështetje e fuqishme e aspiratës për procesin e integrimit të kombeve dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE", vlerësoi Kryeministri. Duke shprehur mirënjohjen ndaj Presidencës spanjolle, ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE dhe përfaqësuesve të këtyre vendeve në Sarajevë, Berisha tha se "me deklaratën që u miratua dje në këtë Samit, i është dhënë një mbështetje e madhe shndërrimit në realitet të ëndrrës europiane". Deklarata e Kreut të Qeverisë vjen dy javë pas takimit të zhvilluar në Strasburg me Kryetarin e PS, Edi Rama, në praninë e faktorit ndërkombëtar, për gjetjen e një zgjidhjeje të ngërçit politik në vend./s.s./
KOMENTE