Kuvend-Berisha: Shtëpia Në Pezë Do Të Mbetet Muze
TIRANË, 3 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha tha sot në Kuvend se "Peza është trashëgimia historike e shqiptarëve dhe shtëpia ku u themelua fronti pluralist antifashist shqiptar, do të mbetet shtëpi-muze".
Ai reagoi sot në Kuvend ndaj situatës së krijuar dje në fshatin Pezë, kur përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Tiranës kërkuan të zbatonin një vendim të Këshillit të Ministrave për lirimin e shtëpisë Muze të Konferencës së Pezës, i cili u kundërshtua nga pronarët e saj.
"Shpallja muze e shtëpisë ku u themelua fronti pluralist antifashist shqiptar nuk është vendim qesharak. Ajo shndërrin dhe do të shndërrisë si margaritar në historinë e kombit shqiptar. Por për ju (opozitën) nuk ka rëndësi kjo, por ka rëndësi destinacioni tjetër. Ju e keni kundër meje këtë, por mos e ngatërroni Pezën me mua, sepse Peza është trashëgimia historike e shqiptarëve", tha kryeministri, duke iu drejtuar deputetëve të majtë në parlament.
Me një vendim të fundit të Këshillit të Ministrave shtëpia-muze e Konferencës së Pezës, e mbledhur më 16 shtator 1942, do t'i kthehet Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare të Tiranës. Për këtë qëllim pretenduesve të pronës iu kërkua bashkëpunimi për lirimin e ambienteve, sipas të cilëve monumenti në fjalë është në pronësi të tyre.
Sipas Ministrisë së Kulturës në vitin 2006, padrejtësisht ky objekt është futur në inventarin paraprak të objekteve shtetërore në varësi të Bashkisë së Tiranës, kur duhet të ishte regjistruar në inventarin e Komunës së Pezës./n.m/