Sot shqiptarët kanë bindjen se vota e tyre është vjedhur dhe e drejta e tyre për ta ndryshuar qeverinë është dhunuar, kanë bindjen se prona private nuk ka vajtur tek i zoti dhe se pushteti po sillet si zot në pronën e gjithë shqiptarëve, kanë bindjen se ligji është bërë si një kanatiere e kthyer mbrapsht në trupin e mazhorancës, kanë bindjen se media e lirë është në rrezik nga uzurpatorët
Olta Xhaçka*
Në teori, politika shqiptare ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Sidomos në forma. Të dëgjosh ndonjëherë kryeministrin Berisha, dikur konspektues i zellshëm i librit të diktatorit Hoxha "Shënime për Kinën", ngjan se ai është lindur në Bruksel, është shkolluar në Londër dhe është të paktën guvernator në New York. Ish-komunisti i fundit në pushtet, siç quhet rëndom sot Z. Berisha, ka fituar reflekset e përdorimit të gjuhës nazike të pluralizmit. E ka thënë dhe e ka rikujtuar shpesh se demokracia ka katër shtylla ku mbështetet: vota e lirë, prona private, respektimi i ligjit dhe media e lirë.
Për t'u kthyer në përmbajtje, tashmë është bërë e qartë se me dinamit apo shkop gome, me zjarr apo para, me paaftësi apo maliqëri, me gardh ose me të drejtën e me të fortit, Kryeministri Berisha i ka hedhur në erë të katër këto shtylla.
Sot shqiptarët kanë bindjen se vota e tyre është vjedhur dhe e drejta e tyre për ta ndryshuar qeverinë është dhunuar, kanë bindjen se prona private nuk ka vajtur tek i zoti dhe se pushteti po sillet si zot në pronën e gjithë shqiptarëve, kanë bindjen se ligji është bërë si një kanatiere e kthyer mbrapsht në trupin e mazhorancës, kanë bindjen se media e lirë është në rrezik nga uzurpatorët.
Të dytës që nuk i shkon për shtat transparenca e shumë kërkuar prej opozitës e popullit opozitar, partnerëve e miqve ndërkombëtare të Shqipërisë është zonja kryeparlamentare që ka shkelur e vazhdon të shkelë me te 2-ja këmbët kushtetutën e ligjet e vendit, rregulloren e kuvendit e që së fundmi ka shkelur statusin e deputetit duke i katandisur përfaqësuesit e popullit në punëtore me mëditje.
I treti por jo i vërteti, që përpiqet të luajë rolin e moderatorit në këtë proces të transparencës është zoti zv-Kryeministër e Ministër i Jashtëm i cili është i gatshëm t'i djegë vizat e shqiptarëve për të mbajtur mbyllur kutitë e Ndroqit. E qe në vend se t'u predikoje palëve maturi politike, do bënte mirë të mishëronte këshillën në shembullin e tij personal e të kontribuojë në interes të të gjithë shqiptarëve.
I katërti, i pesti e me radhë janë në rresht, pa emër, pa fytyrë, pa identitet, ushtarë të bindur të kutive të mbyllura që mbajnë në këmbë pushtetin e gjeneralit të ushtrisë së vdekur të votuesve e identiteteve fallco, Sali Berishën.
E në vend që ju kolege të mazhorancës të përqendroheni në integrimin evropian të Shqipërisë përmes zgjidhjes politike e kapërcimit të krizës ekonomike që është ulur këmbëkryq në vatrat shqiptare i jeni sulur pasurisë kombëtare për të mbushur arkën bosh të shtetit, po shkatërroni biznesin nëpërmjet gjobave marramendëse, po zhvatni popullin me tarifa të papërballueshme. Me paturpësi i jeni sulur deputetëve të opozitës duke u marrë dhe me banesat e tyre private ashtu siç i jeni vërsulur medias kritike për të mbytur zërin e lirë dhe të vërtetën që vjen ende nga mendjet e lira në këtë vend.
E dini anekdotën e fundit që ka dalë pikërisht dje? Një baba ishte i tmerruar nga frika sepse i biri i tij adoleshent koleksiononte pulla e i kërkoi të birit t'i djegë ato se nëse mos dashtë Zoti kryeministri e bënte atë kundërshtar politik mund edhe t’i rrethonte shtëpinë me policë dhe t'ia shpallte muze për shkak të koleksionit të pafajshëm të të birit. Në rastin e shtëpisë së Konferencës së Pezës, që tentoi të bashkojë të gjithë shqiptarët në luftën kundër pushtuesit, njeriu që po kërkon verbërisht të ndajë shqiptarët nga njëri-tjetri, gjithashtu e rrethon me policë.
E më tej, me një palo gërshërë të ndryshkura, po ky njeri pret shirita elektorale në disa rrugica periferish ndërkohë që po na ndërpret bulevardin që na lidh me Europën. Sepse mbas shifrave kallp të mrekullive ekonomike, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i fundit në Europë ku shkelen të drejtat e individit, ku rrëmbehen çdo ditë fëmijë e vajza, ku nuk zbardhen vendime gjykatash dhe nuk ekzekutohen vendime përmbarimi, dhe ku korrupsioni galopant i qeverisjes ushqen peshqit e mëdhenj pas kapjes se cironkave.
Shqiptarët, kolegë deputetë, dëshirojnë zgjidhjen e krizës, dëshirojnë transparencën e procesit zgjedhor, dëshirojnë zhvillimin e vendit e integrimin europian të tij, dëshirojnë bashkëpunimin e mazhorancës me opozitën në interes të të gjithë shqiptarëve.
Kriza ka një emër, kurse Ju Sali Berisha keni vetëm një shans: të mos pengoni zgjidhjen e saj. Sepse një lumë, sado larg ta ketë burimin, është i destinuar të përfundojë në det.
(*) Fjala në Kuvend e deputetes së PS