English

Meta: Lidershipi I Opozitës Të Heqë Dorë Nga Qëndrimet Tekanjoze, Që Bëhen Jashtë Frymës Së Dialogut

TIRANË, 3 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi sot, se "lidershipi i opozitës duhet të heqë dorë nga veprime dhe qëndrime tekanjoze, të cilat janë jashtë llogjikës së dialogut dhe frymës së një zgjidhje demokratike dhe konstruktive". Gjatë një konference për shtyp pas kthimit nga Samiti i Sarajevës, z. Meta iu përgjigj interesimit të medias mbi ndikimin e situatës politike në vend në procesin e liberalizimit të vizave. Edhe pse procesi i liberalizimit të vizave bazohet mbi kushte teknike, Meta tha se "kjo nuk do të thotë se mosfunksionimi si duhet i dialogut politik është një element pozitiv për stabilitetin e institucioneve apo ecurinë e reformave në drejtime të rëndësishme, sidomos në fushën e drejtësisë dhe gjyqësorit". "Besoj se takimi i zhvilluar në Strasburg, përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë atje edhe nga përfaqësues të PE-së dhe komunitetit ndërkombëtar, do të vijojnë dhe njëkohësisht së bashku me to, do të rritet edhe përgjegjësia për të vendosur dialog politik të qëndrueshëm larg kushteve dhe ulimatumeve të panevojshme", tha Meta. Sipas tij, "kushtet dhe ultimatumet e panevojshme më shumë se përparimin e dialogut politik, synojnë realizimin e tekave apo kapricove individuale". "Ato nuk tregojnë pjekuri dhe përgjegjshmëri politike, apo vendosjen në rendin e parë të interesave të vendit dhe integrimit europian", tha z. Meta. Kryediplomati shqiptar theksoi se "Kushtetuta dhe kodi elektoral u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjitha pretendimeve të ngritura nga lidershipi i opozitës, por për këtë duhet edhe argumenti politik për të respektuar institucionet e përbashkëta". /s.s./
KOMENTE