English

Meta: Samiti I Sarajevës, Mbështetje Unanime Për Liberalizimin E Vizave Për Shqipërinë Dhe Bosnjen

TIRANË, 3 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi sot, se "Samiti i Sarajevës i dha një mbështetje unanime propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje- Hercegovinën". Gjatë një konference për shtyp pas kthimit nga Samiti i Sarajevës, Meta tha se "mbështetja e plotë politike e BE-së është një moment shumë pozitiv, pasi në këtë mënyrë jepet një mesazh i qartë se integrimi europian është një proces i prekshëm". Procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë, sipas kryediplomatit shqiptar, "është tërësisht i bazuar mbi kritere teknike". "Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha kriteret, përveç tre elementëve të caktuar që janë në proces dhe për të cilat ne raportojmë vazhdimisht. Kjo nuk do të thotë se mosfunksionimi si duhet i dialogut politik është një element pozitiv për stabilitetin e institucioneve apo për ecurinë e reformave në drejtime të rëndësishme, sidomos në fushën e drejtësisë dhe gjyqësorit", tha Meta. Duke vlerësuar zhvillimet gjatë Samitit të Sarajevës, Meta tha se "Bashkimi Europian është i vendosur ta konsiderojë zgjerimin e tij drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një prioritet shumë të rëndësishëm". Kjo, sipas tij, dëshmon vullnetin pozitiv të BE-së, pavarësisht problemeve të mëdha që mund të ketë, si kriza ekonomike-financiare globale, por edhe probleme me vende të cakuara të BE-së dhe euro-zonës, apo angazhimi në situata delikate, si ajo e Lindjes së Mesme. Kryediplomati Meta theksoi se "për të përshpejtuar perspektivën europiane, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal i gjithë vendeve të rajonit". "Ky bashkëpunim kërkohet sidomos në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, që është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar më tej jo vetëm imazhin e rajonit, por edhe për t'u dhënë më shumë siguri qytetarëve të BE-së se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në të ardhmen, nuk do të cënojë standardet e sigurisë së tyre", tha Meta. Sipas tij, "Samiti i Sarajevës përcolli mesazhin se të gjitha vendet e rajonit, që kanë ende probleme të pazgjidhura bilaterale midis tyre, duhet t'i zgjidhin në frymën europiane të dialogut dhe mirëkuptimit". "Për herë të parë në këtë Samit, ministri i Jashtëm i Kosovës u ul si i barabartë me gjithë përfaqësuesit e tjerë dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në të gjitha nismat rajonale dhe integruese, duke filluar sa më shpejt me procesin e liberalizimit të vizave", tha z. Meta./s.s./
KOMENTE